Tkurret dhe ndërtimi, rreth 40% më pak leje se një vit më parë

Publikuar më: 24/11/2022, ora 16:29

Tkurret dhe ndërtimi, rreth 40% më pak leje se një vit më parë

Publikuar më: 24/11/2022, ora 16:29

Sektori i ndërtimit, një nga motorët e ekonomisë shqiptare gjatë krizave, duket se po i drejtohet një tkurrjeje të pashmangshme. Këtë e tregojnë të gjitha të dhënat e këtij viti, duke nisur nga planifikimi i ndërtimeve të reja.

Gati 40% më pak leje ndërtimi u miratuan gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator. Konkretisht, 269 leje janë dhënë në Shqipëri për ndërtesa të reja gjatë tremujorit të tretë të 2022-it, nga 442leje në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më pak leje u dhanë edhe në tremujorin e dytë të këtij viti.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë thotë se treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra me 7.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke vijuar trendin rënës të muajve paraardhës. Ndërtimi ka kontribuuar negativisht edhe në ecurinë e rritjes ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2022.

Ndikimi në Produktin e Brendshëm Bruto për këtë periudhë ishte me -0,49 pikë përqindje. Teksa vetëm një vit më parë ishte ndër sektorët e vetëm që shënonin rritje. Treguesit negativë tregojnë se ndërtimi ka nisur gradualisht fundin e shpërthimit, që nisi me banesat e reja në kryeqytet dhe pasoi me programin e rindërtimit dhe komplekset në bregdet.