Ujdia për targat, Vuçiç: Fitore e vogël taktike në Bruksel, pritet presion edhe më i madh
Një fitore të vogël taktike që do të çojë në presion edhe më të madh, e ka konsideruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç, marrëveshjen e arritur një ditë më parë në Bruksel për çështjen e targave.
Në konferencën për media, Vuçiç tha se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.
Ai konfirmoi se nuk do të ketë targa të reja KM, ndërkohë që konfirmoi se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.
Presidenti i Serbisë shtoi se është e rëndësishme që në Bruksel është theksuar domosdoshmëria e përmbushjes së marrëveshjeve të mëparshme.
Vuçiç përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë. “Ne nuk e duam Kosovën në OKB dhe çfarë do të bëni atëherë, na bombardoni, na kërcënoni me sanksione”, tha ai, duke shtuar se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën.
Një ditë më parë, më 23 nëntor, delegacionet e Serbisë dhe Kosovës arritën një marrëveshje për targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.