110 vite shtet, nga festimet e pavarësisë deri te pritja për Dua Lipën

Publikuar më: 28/11/2022, ora 15:24

110 vite shtet, nga festimet e pavarësisë deri te pritja për Dua Lipën

Publikuar më: 28/11/2022, ora 15:24

Ditëlindja e Shtetit Shqiptar është kremtuar në mënyra të ndryshme nga shqiptarët anembanë vendit. Ndërsa festimet zyrtare për 110-vjetorin e pavarësisë edhe këtë vit janë mbajtur në Vlorë, në qytetin e flamurit.

Ndërsa kryeqyteti është zgjuar më vonë, i zbrazët nga njerëzit dhe nga trafiku për shkak të pushimeve të festave. Bulevardi kryesor, dekoruar kuqezi, nisi të gjallërohet pas mesdite. Motin e mirë dhe me diell, banorët e Tiranës e kanë shfrytëzuar më së shumti për shëtitje, ndërsa thonë se festimet, këtë vit, do të jenë më të varfra për shkak të krizës. Por teksa i afrohesh qendrës së Tiranës, atmosfera ndryshon. Sheshi Skënderbej përgatitet për koncertin nga ku do të këndojë live këngëtarja shqiptare, Dua Lipa.

Të shumtë janë edhe qytetarët nga Kosova që kanë ardhur enkas për festën dhe për  koncertin e divës së muzikës pop. Kur flitet për historinë dhe datat e shënuara të kombit shqiptar, qytetarët e Kosovës nuk falin. Por krejt ndryshe janë të rinjtë nga Shqipëria.

Për ata që kemi pyetur Dita e Pavarësisë ngatërrohet me Çlirimin, madje për të tjerë, 28 Nëntori është thjesht dhe vetëm koncerti i Dua Lipës.

Ndërkohë Muzeu Historik, në Sheshin Skënderbej, ka qenë thuajse bosh. Vizitorët numëroheshin me gishtat e dorës edhe në ekspozitën hapur enkas për 110-vjetorin e Pavarësisë.

Ndërsa Dita e Flamurit do të mbyllet me koncertin e shtetases më të re zyrtare shqiptare Dua Lipës, e nesërmja shënon 78-vjetorin e çlirimit.

Ceremonitë zyrtare zhvendosen nga Vlora në Tiranë me nderimin e Dëshmorëve të Atdheut pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.