Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

110 vjet shtet, Shqipëria dhe Kosova festojnë bashkë në Vlorë Ditën e Flamurit

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2022, 14:48 | Politikë
110 vjet shtet, Shqipëria dhe Kosova festojnë bashkë në

110-vjetori i Pavarësisë ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës për të ngritur Flamurin në qytetin e Vlorës. Personalitetet e larta të politikës të Tiranës dhe Prishtinës kryen homazhe edhe te monumenti i Pavarësisë. Sipas protokollit shtetëror, të parët që vendoset kurora me lule ishin Presidentët Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani. Më pas dy kryeparlamentarët Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca, Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti si dhe drejtues të pushtetit vendor.

Nga Vlora, Presidenti Bajram Begaj i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës që për interesin e vendit t’i lënë pas ndasitë dhe të punojnë së bashku, ashtu siç vepruan themeluesit e shtetit shqiptar 110 vite më parë. “Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjatë përpara. Por ajo që duhet të bëjmë, më së pari, është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm, ashtu si patriotët e mëdhenj, që nderojmë sot. Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe respektimin e çdo individi dhe të drejtave, që burojnë nga kushtetuta”.

Begaj dha edhe një mesazh për samitin e 6 dhjetorit, që do të mbledhë në Tiranë institucionet dhe vendet e BE-së me ato të Ballkanit Perëndimor, duke apeluar për përgjegjësi nga politika shqiptare. “Një ngjarje dhe përgjegjësi e madhe. Një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët dhe të ardhmen tonë në familjen evropiane duke nxitur njëherazi një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike përvijimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane”.

Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se Tirana duhet të ushtrojë ndikim për të ndihmuar shtetin e Kosovës në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. “Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik”. Festimet për ditën e pavarësisë vijuan me aktivitete të ndryshme jo vetëm në Vlorë por në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani