
Është vendi më bujqësor në Europë, i dyti për nga burimet hidrike pas Norvegjisë, me naftë të bollshme në nëntokë e klimë të dëshiruar nga shumëkush, po që ka varësinë më të lartë nga importi.
Për të furnizuar makinat, anijet e peshkimit apo vënë në punë fabrikat, Shqipërisë i duhet ta blejë të gjithë karburantin nga jashtë. Për të mbjellë tokat, gjithë plehun kimik duhet ta importojë; gati 80% të bulmetit dhe të mishit duhet ta marrë kryesisht nga Serbia e Brazili, rreth 70% të drithit e vajit në Lindje dhe në ditët më të mira, 30% të energjisë duhet ta blejë bazuar në çmimet e bursës hungareze.
Për shkak të “braktisjes së bujqësisë”, vendi po importon sot gati tre herë më shumë ushqime e pije nga çfarë arrin të shesë në tregjet e huaja.
Me një model ekonomik që më shumë i ngjan një “pazëlli” që duket se po vonon të marrë formën e duhur, deficiti tregtar, sipas Institutit të Statistikave, në 10-mujorin janar-tetor ka shkuar në 374 miliardë lekë.
Shqipëria ka varësi nga importi me thuajse çdo vend në kontinentin Europian dhe sidomos me Turqinë. Në harkun e muajve janar-tetor, nga vendi që sot Shqipëria feston pavarësinë, në harkun e muajve janar-tetor u importuan mallra në vlerën e 804 milionë eurove, gati 18 herë më shumë nga sa u shitën.
Për nevoja bazike të vendit, Shqipëria bleu nga Turqia minerale, lëndë djegëse; materiale ndërtimi dhe metale; prodhime druri dhe letre; produkte kimike dhe plastike, ndërsa shiti pak lëkurë, ushqim, pije e duhan, tekstile dhe këpucë.
Për shkak të varësisë së lartë nga importi, Shqiptarët po paguajnë sot më shumë për ushqim e nevoja të tjera bazike. (A2 Televizion)