“Skifterë” me uniformë, vidhnin qytetarët te Liqeni Artificial, gjykata le në burg dy policët
“Skifterë” me uniformë, vidhnin qytetarët te Liqeni Artificial, gjykata le në burg dy policët
Në vend që të kujdesen për rendin e cenuan vet atë. Tani janë prapa hekurave të burgut. Saimir Muzikanti dhe Serxhoi Cani akuzohen për bashkëpunim në vjedhje dhe kanosje, për më tepër duke shpërdoruar detyrat respektive si efektiv i policisë bashkiake dhe Patrullës së Përgjithshme.
Të arrestuar të shtunën si autorë të dyshuar të grabitjes së konsumatorëve të kanabisit në kodrat e Liqenit Artificial ata do të hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”. Burime pranë gjykatës pohuan se në sallën e gjyqit, të dyshuarit nuk dhanë shpjegime. Duke pretenduar mungesë të provave, ata kërkuan deklarim të paligjshëm të arrestit dhe masa më të buta sigurie.
Pas arrestimit, 39-vjeçari Muzikanti ka pranuar se në disa raste bashkë me kolegun e tij te Komisariatit nr.1 iu kanë marrë vlera monetare personave që i kanë kallëzuar, ndërsa 22-vjeçari Cani ka mohuar këtë fakt. Njëkohësisht në seancë, avokati i Muzikantit ka pretenduar se klienti i tij është dhunuar në polici, dhunë për të cilën, sipas tij, kishte bërë kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Sipas prokurorisë, janë të paktën tre rastet e dokumentuara nga disa kallëzime të bëra se dy efektivët në bashkëpunim me njëri-tjetrin iu kanë marrë “viktimave” të tyre shuma nga 10 në 50 mijë lekë të rinj. “Shënjestra” e tyre kanë qenë kryesisht konsumatorët e kanabisit, të cilët pasi iu inskenonin një situatë arrestimi, i lejonin të shkonin në këmbim të marrjes së parave që kishin me vete. Në një nga rastet, efektivi 22-vjeçar dyshohet se i ka vënë pistoletën e shërbimit në bark një prej personave që i ka marrë para.