A dështuan degët prioritare? Zgjidhjet që propozon rektori Hoxha për degët e mësuesisë

Publikuar më: 29/11/2022, ora 15:11

A dështuan degët prioritare? Zgjidhjet që propozon rektori Hoxha për degët e mësuesisë

Publikuar më: 29/11/2022, ora 15:11

As mbështetja financiare e qeverisë për studentët cilësorë që ndjekin degët e mësuesisë nuk rriti frekuentimin në këto programe. Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Artan Hoxha, njëherësh kreu i Universitetit të Tiranës pranon se politikat e aplikuara për degët prioritare nuk dhanë rezultat, as në Tiranë dhe as në universitetet e rretheve që po përballen me rrezikun e mbylljes së degëve të mësuesisë. 

“Politika ishte që studentët e mirë të pranohen në këto degë me bursa dhe mbështetje që motivojnë ndjekjen e këtyre programeve. Nuk patëm ndonjë ndryshim të madh. Nuk kemi numrin e studentëve që kemi planifikuar dhe as atë nivel studentësh që do të donim të kishim.”

Në përgjigje të pyetjes së A2 CNN se si mund të dalë mësuesia nga kriza, profesor Hoxha shpreh nevojën e rishikimit të programeve dhe të politikave financiare për pagën e mësuesit.

“Unë mendoj që duhet një strategji dhe një politikë më e gjerë se sa mbështetje studentore dhe përmirësim programi. Duhet që këto degë prioritet për vendin, për shkak të mungesës së specialistëve, të rishikohen programet mësimore, të afrohen me tregun e punës dhe trajtimi i tyre si mësues të jetë më i lartë.”

Në valën e pakënaqësive brenda radhëve të stafeve akademike, kreu i Universitetit tha se ka një mënyrë se si mund të rritet kërkimi shkencor, cilësia e mësimdhënies, shoqëruar me uljen e kostove financiare. Kjo sipas rektorit Hoxha mund të vijë përmes shkrirjes së universiteteve në qendra më të mëdha, siç mund të jetë një ribashkim i Universitetit të Tiranës dhe atij të Mjekësisë, një çështje e artikuluar javë më parë nga kryeministri Rama.

“Mendoj që një numër kaq i madh universitetesh në Shqipëri nuk i nevojitet vendit. Por një përqëndrim i universiteteve dhe një specializim i tyre do të bënte që strukturat e mëdha të kenë më pak kosto financiare dhe të jenë më të organizuara dhe të japin më shumë rezultat në mësimdhënie dhe në kërkim shkencor. Kur u nda mjekësia nga Universiteti i Tiranës në  2012-2023 ishte një ndarje mekanike dhe e pa arsyetuar dhe në kundërshtim me ligjin në atë kohë. Bashkimi në universitete më të mëdha dhe më të qëndrueshme është tendencë që e kanë edhe vendet jashtë për të ulur kostot dhe për të rritur bashkëpunimin.”

Kryetari i konferencës së rektorëve pranon se arsimi i Lartë sot po kalon vështirësi një pjesë e të cilave duhen zgjidhur edhe nga vetë universitetet.