Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Holanda dhe Senegali, të kualifikuarat e radhës

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2022, 17:58 | Futboll
Holanda dhe Senegali, të kualifikuarat e radhës

Holanda dhe Senegali janë dy ekipet e kualifikuara nga Grupi A i Botërorit të Katarit.

Një ndeshje pa histori për “Tulipanët” që dominuan 90 minuta, prodhuan raste, por në fund u mjaftuan me një fitore 2-0 përballë organizatorëve të Katarit. Protagonisti kryesor i skuadrës së Van Gaal mbetet Gakpo, i cili pas një goditjeje perfekte në kufijtë e zonës, arriti ta dërgojë topin në rrjetë.

Pas kësaj, ritmi i lojës ra disi, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, historia ishte po e njëjta. Pas një goditjeje të fortë të Depay, topi mbeti në zonë, aty ku De Jong nuk fali dhe e dërgoi në rrjetë.

Holandezët shënuan dhe golin e tretë me Berghuis, i cili finalizoi një aksion të shpejtë, por gjithçka u anulua nga VAR për prekje të topit me dorë. Kaq mjaftoi që Holanda të hipotekonte kalimin më tej si skuadra e parë në grupin A, me 7 pikë.

Nga ana tjetër, Senegali besoi tek kualifikimi dhe e arriti atë. Afrikanët mposhtën 2-1 Ekuadorin në një ndeshje ku çdo llogari ishte e hapur. Që në fillim të lojës, dy kombëtaret tentuan disa herë portën, por jo me shënjestrën e duhur. Gjithçka u zhbllokua në minutën e 42, kur pas një faulli në zonë, gjyqtari drejtoi gishtin nga penalltia. Aty, Ismaila Sarr nuk fali dhe dërgoi senegalezët në avantazh.

Në pjesën e dytë, Ekuadori kishte rastet e tij dhe vendosi barazpeshën me Caicedo, në minutën e 68. Megjithatë, festa zgjati shumë pak, pasi isha Koulibali që riktheu avantazhin për Senegalin.

Deri në fund, Ekuadori tentoi për barazimin, por pa rezultat. Pas këtij suksesi, Senegali bëhet skuadra e dytë nga grupi A që siguron biletën për në 16 kombëtaret më të mira, ndërsa Ekuadori i jep zyrtarisht lamtumirën këtij turneu. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani