Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Uljet nxisin mashtrimin në internet, mijëra faqe me produkte të falsifikuara “peshkojnë” blerësit

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 15:28 | Ekonomi

Sezoni i uljeve, që nis me “Të premten e zezë”, vijon me festat e nëntorit dhe përmbyllet me Krishtlindjen e Vitin e Ri, po nxit mashtrimet te blerjet në internet. Me qytetarët që qëndrojnë në pritje të uljeve, shumë individë hapin faqe false apo me produkte të falsifikuara për të përfituar para.

“Si në botë, ashtu edhe në Shqipëri në këtë periudhë ka një rritje të informalitetit. Flas këtu për faqet informale online”, thotë ekspertja e E-Commerce Pranvera Rrapushi.

Një operacion i Europol në 27 vende, përfshirë Shqipërinë i zhvilluar gjatë Black Friday”, çoi në mbylljen e rreth 12 mijë e 500 faqeve “online” ku tregtoheshin mbi 127 mijë produkte të falsifikuara me vlerë mbi 3.8 milionë euro.

“Nëse klienti shkon e përballet me një faqe në rrjetet sociale që në momentin e parë lexon “nuk ka mundësi ndërrimi” duhet ta anashkalojë atë. Kaq mjafton për të kuptuar joseriozitetin e faqes”, shton Rrapushi.

Humbja e besimit te blerjet “online”, veçanërisht në këtë periudhë, ka bërë që shumë qytetarë në këtë periudhë të drejtohen fizikisht në dyqane.

“Nëse do të thosha që nuk është kjo arsyeja do të gënjeja. Në të shumtën e kohës është kjo arsyeja se pse vijmë në dyqane këto ditë”, thotë një blerës.

“Ne sot erdhëm për të parë. Do shohim edhe çmimet e më pas do blejmë ato që na nevojiten”, shprehet një tjetër.

Kjo ka bërë që blerjet fizikisht në dyqane gati të barazohen me ato në internet, pas hovit që këto të fundit kishin marrë gjatë pandemisë.

Fundvitin e shkuar, qeveria miratoi disa ndryshime ligjore te shitjet “online”, ku për mbrojtjen e konsumatorëve do të kishte më shumë vëmendje nga Autoriteti i Komunikimeve Elektrike dhe Postare. Megjithatë, siç pranohet edhe nga vetë aktorë në tregun e shitblerjeve në internet, sektori vijon të përballet me informalitet në shkallë të lartë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani