Dita botërore kundër Hiv-Aids, 80 raste të reja, po hetohet infektimi i një foshnje me prindër negativë

Publikuar më: 1/12/2022, ora 17:19
HIV AIDS NE SHQIPERI frame 405 1280x720

Dita botërore kundër Hiv-Aids, 80 raste të reja, po hetohet infektimi i një foshnje me prindër negativë

Publikuar më: 1/12/2022, ora 17:19

Pandemia e koronavirusit mori vëmendjen e të gjithëve, por ndikoi negativisht në shtimin e sëmundjeve të tjera. Sida e njohur ndryshe  si “pandemi e heshtur” po njeh vetëm rritje të infektimeve. Mbi 1 mijë e 500 të prekur nga Hiv -Aids rezultojnë në të dhënat zyrtare të vendit tonë, ndërkohë që shifrat e të infektuarve janë shumë më të larta.

Vetëm këtë vit janë identifikuar 80 raste të reja, mes tyre dy fëmijë. Ende po hetohet infektimi i një foshnje 1-vjeçare gjatë shërbimeve shëndetësore që ka marrë, pasi të dy prindërit i kanë rezultuar negativë.

Vetëm këtë vit kanë humbur jetën nga Sida 11 persona për shkak të diagnostikimit të vonë. Në ditën botërore mjekët bëjnë apel për testim në kohë, ndërsa  ministria e shëndetësisë premton futjen e vetë-testimit për Hiv-Aids.

“Ne shumë shpejt nëpërmjet programeve tona dhe programit Global Fund do të fillojmë edhe vetë-testimin për HIV-AIDS. Do të jetë një hap sërish drejt një diagnostikimi më të shpejtë. Sepse e gjithë lufta në këtë aspekt është diagnostikimi në kohë, diagnostikimi i shpejtë, në mënyrë që edhe trajtimi të fillojë sa më shpejt dhetë jetë në kontroll infeksioni”.

Në kuadër të kësaj dite, mjekë dhe përfaqësues të United Nations Population Fund (UNFPA) kanë realizuar takime me të rinjtë për t’i informuar mbi format e transmetimit të virusit. Infektimi me HIV AIDS nëpërmjet mardhënieve seksuale të pambrojtura është mënyra kryesore e  transmetimit me 96% e rasteve të diagnostikuara. Aktualisht 792 persona marrin mjekim me antiretrovirale nga të cilët 12 janë fëmijë.