“Perëndimi po nxit Ukrainën të vazhdojë luftën”, Lavrov: Të shmanget përplasja mes fuqive bërthamore

Publikuar më: 1/12/2022, ora 10:37

“Perëndimi po nxit Ukrainën të vazhdojë luftën”, Lavrov: Të shmanget përplasja mes fuqive bërthamore

Publikuar më: 1/12/2022, ora 10:37

Rusia nuk e do një luftë bërthamore. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavorv, tha se ishte jetësore të shmangej çdo lloj konfrontimi ushtarak mes fuqive nukleare, edhe nëse do të përfshiheshin vetëm armët konvencionale.

“Pozicioni ynë shkon edhe më tej, çka nënkupton se përveçse e konsiderojmë të papranueshme nisjen e një lufte bërthamore, mendojmë se është e nevojshme të shmangim çdo përplasje ushtarake mes fuqive bërthamore, edhe përmes përdorimit të armëve konvencionale, pasi përshkallëzimi mund të bëhej i pakontrollueshëm”, u shpreh Lavrov.

Por shefi i diplomacisë ruse e drejtoi gishtin nga Perëndimi, që siç tha po e shtynte Ukrainën të luftonte kundër Rusisë.

“Fakti se kolegët tanë perëndimorë po përpiqen të tërhiqen nga kjo pjesë e formulës, pra se nuk duhet të ketë përplasje ushtarake mes fuqive bërthamore flet vetë. Ata po nxisin Ukrainën të vazhdojnë luftën që perëndimi ka nisur kundër federatës ruse”, tha ministri rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë një seri paralajmërimesh bërthamore gjatë luftës në Ukrainë, por zyrtarë të tjerë të lartë në Kremlin i kanë mohuar vazhdimisht planet për përdorimin e armëve bërthamore. CNN, që citon funksionare të lartë në SHBA, raporton se SHBA-ja po vlerëson një zgjerim të konsiderueshëm të operacionit të trajnimit të forcave ukrainase. Siç thuhet, po mendohet që deri në 2500 ushtarë të trajnohen çdo muaj në një bazë amerikane në Gjermani.