
Për të shkuar nga një qytet në tjetrin nuk do të ketë më nevojë të pyesësh se ku nisen autobusët dhe as të shkosh më herët për të zënë një vend. Duke nisur nga viti i ardhshëm, qytetarët do të kenë mundësi të rezervojnë dhe blejnë online biletat e udhëtimit në transportin interurban.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor prezantoi fazën e dytë të platformës e-Transport, që krahas biletimit elektronik do të mundësojë edhe monitorimin elektronik të fluksit në transportin publik ndërqytetës.
Për ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, ky shërbim do të ndihmojë veçanërisht turistët e huaj, që tani mund të marrin informacion për linjat e autobusëve dhe terminalet, një nga problemet më të mëdha të hasura gjatë këtij sezoni turistik.
Platforma e-Transport nisi këtë vit me fazën e parë, ku procesi i licencimit për transportin ndërqytetës kaloi tërësisht online. Në fazën e dytë, përmes aplikacioneve dhe portalit online, turistët dhe përdoruesit vendas do të njihen edhe me destinacionet dhe aktivitetet kulturore në të gjithë vendin. (A2 Televizion)