Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Pas eliminimit nga Botërori, në Katar tallen me Gjermaninë

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2022, 12:33 | Futboll

Analistët dhe gazetarët sportiv në një televizion në Katar janë tallur me skuadrën gjermane të futbollit, pas eliminimit të saj nga Kupa e Botës që në fazën e grupeve, duke imituar veprimin e mbylljes së gojës, që ata bënë në ndeshjen e parë në turne, kundër Japonisë.

Video e shpërndarë në Twitter nga ish-futbollisti kuvajtian Jamal Mubarak tregon sesi të gjithë të pranishmit në studion e Alkass Sports mbyllin gojën dhe i thonë lamtumirë skuadrës gjermane.

Futbollistët e kombëtares gjermane e bënë këtë veprim në shenjë proteste ndaj vendimit të FIFA-s për të mos lejuar mbajtjen e shiritit të kapitenit me mbishkrimin “One Love” dhe ngjyrat e ylberit, të parë si simbol të të drejtave të komunitetit LGBTQI+. Në Katar, marrëdhëniet homoseksuale janë të ndaluara me ligj dhe konsiderohen vepër penale.

“Falë zotit, sot të gjithë shtetet arabe dhe myslimane po luten që Japonia të kualifikohet, por gjëja më e rëndësishme është eliminimi i Gjermanisë”, tha Mubarak gjatë emisionit.

Para nisjes së Kupës së Botës, Katari tha se të gjithë janë të mirëpritur të ndjekin turneun, pavarësisht jetës së tyre private. Por në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF, një prej personazheve kryesorë të komitetit organizativ të Botërorit, Khalid Salman, tha se homoseksualizmi ishte haram. “Unë nuk jam mysliman strikt, por është haram, shkakton dëmtime në tru”, tha Salman.

A2 CNN Livestream

Dita jonë