Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-vartësi i tij në këtë ministri, ish-deputeti Alqi Bllako, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për aferën e inceneratorit të Fierit.Gati një muaj pasi u morën të pandehur për Elbasanin, SPAK iu komunikoi në qelitë e paraburgimit akuzat për inceneratorin tjetër, për të cilin u morën në total si të pandehur 21 persona. Në këtë dosje, Koka e Bllako janë vënë para përgjegjësisë penale për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” e “pastrim parash”.
Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se dy ish-zyrtarët e lartë në bashkëpunim kanë shpërdoruar detyrën përmes veprimeve e mosveprimeve në procedurën e ndjekur për ndërtimin e inceneratorit dhe shpronësimin e tokës. Sipas SPAK, prej favorizimit të paligjshëm të kompanisë fituese, ish-ministri Koka ka përfituar gati 1,4 milionë euro ryshfet, ndërsa Bllako 14 milionë lekë të rinj.
Për Kokën, SPAK pretendon edhe pastrim të parave, përmes ngritjes së një skeme fiktive, ku shoqëri të drejtuara nga persona të afërt me ish-ministrin, përfitonin para përpunime të pakryera në incenerator. Mes të pandehurve në dosje është biznesmeni i shpallur në kërkim Klodian Zoto, aksioneri kryesor i shoqërisë që fitoi koncensionin për inceneratorin e Fierit. Ai akuzohet për ryshfetet e majme ndaj Kokës e Bllakos, si edhe ndaj Arbën Dervishajt, mbikëqyrësit të punimeve në incenerator, Etleva Kondit, anëtares së dhënies së koncensionit, të cilëve në disa raste iu ka paguar bileta udhëtimi jashtë Shqipërisë dhe qëndrimin në hotele jashtë vendit.
Për të pandehurin Arben Dervishaj, zv.president i FSHF dhe sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, SPAK pretendon se ka miratuar situacione për punime fiktive në incenerator në vlerën e 4 milionë eurove, si edhe ka marrë përfitime të paligjshme nga Zoto.
Për të pandehurit e tjerë të dosjes, anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit dhe administratorët e kompanive, që kanë marrë shuma parash për punime që nuk i kanë kryer në të vërtetë, janë ngritur përkatësisht akuza të “shpërdorimit të detyrës” dhe “pastrim të parave”. (A2 Televizion)