Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Komplot për ta vrarë, deshifrohet kodi sekret i Charles V në një letër të vitit 1547

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 09:51 | Lifestyle

Një ekip studiuesish francezë ka deshifruar një letër të vitit 1547, që i përket arkivave të Bibliotekës Stanislas në Nancy, në të cilën Mbreti i Spanjës dhe Perandori i Shenjtë Romak, Charles V, i zbuloi ambasadorit të tij në Francë frikën e një komploti për ta vrarë. Letra ishte shkruar me kod duke zëvendësuar zanoret me simbole të frymëzuara nga gjuha arabe, me disa të dhëna të rreme për të ngatërruar ata që e kishin marrë në zotërim.

Por pse sovrani kishte frikë për sigurinë e tij? Charles V ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të shekullit të 16-të, i cili hyri në histori si perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake, por që në fakt mbretëroi mbi gjysmën e Evropës. Ai lindi dhe u rrit në Ghent (në Flanders, sot Belgjikë), kishte pallatin e tij në Madrid, por në ADN-në e tij, ai kishte kromozome nga gjysma e një kontinenti dhe një prejardhje të respektueshme: spanjolle nga nëna e tij dhe gjyshërit e tij nga nëna që ishin dhe  sponsor të Kristofor Kolombos, ndërsa babai lindi në Belgjikë nga një austriak dhe një borgonjote (Maria la Ricca).

Charles V i vogël filloi karrierën e tij mbretërore kur ishte vetëm gjashtë vjeç, kur babai i tij vdiq para kohe. Ai trashëgoi drejtpërdrejtë, mbretërinë e Habsburgëve, dinastinë më të fuqishme në Evropë, ndërsa froni i Borgogna-s, Aragonit, Napolit dhe Kastiljes iu dha sepse familjet u shuan. Vetëm në moshën 19-vjeçare, ai mori postin e perandorit. I pakënaqur me sundimin e gjysmës së Evropës, në 1519 ai dërgoi udhëheqësit e tij për të pushtuar Botën e Re. Shkurtimisht, pjesërisht nga trashëgimia dhe pjesërisht nga luftërat dhe pushtimet, ajo e Charles V, e cila zgjati mbi dyzet vjet, u bë mbretëria "në të cilën dielli nuk perëndoi kurrë". 

Një njeri kaq i fuqishëm sigurisht që nuk kishte mungesë të armiqve. Kundërshtari i tij numër një ishte Françesku I i Francës, sundimtari që e bindi Leonardo da Vinçin të largohej nga Italia. Armiqësia midis të dyve shkaktoi katër luftëra midis 1521 dhe 1544: të ashtuquajturat luftëra franko-perandorake, të cilat shpërthyen për dominimin e Italisë Veriore, të gjitha të fituara nga Charles V, i cili madje mori kënaqësinë për të kapur Françeskun I si të burgosur në fushën e betejës në Pavia (24 shkurt 1525).

Në këtë klimë të tensionuar, nuk është për t'u habitur që Charles V ishte i shqetësuar për sigurinë e tij. Ai ishte i bindur se kudo po komplotonin për ta vrarë, siç del nga letra drejtuar ambasadorit të tij në Francë, Jean de Saint-Mauris, e harruar për shekuj në arkivin e Bibliotekës Stanislas të Nancy, Francë.

https://twitter.com/AFP/status/1595918938021548034

Një korrespondencë enigmatike dhe e pakuptueshme. Vetëm sot, pas 475 vitesh mister, u zbulua se Charles V shkruante dokumente konfidenciale me një kod sekret.

U deshën gjashtë muaj për një ekip studiuesish të udhëhequr nga Cécile Pierrot, që të deshifronin një letër të nënshkruar nga perandori, drejtuar ambasadorit të tij në Francë. Pas punës së mundimshme, të mbështetur nga softuerë të specializuar dhe nga profesori i Historisë Moderne në Universitetin e Picardy, Camille Desenclos, studiuesit arritën të identifikonin 120 simbole të përdorura nga Charles V.

“Zanoret e fjalëve ishin zëvendësuar me simbole të frymëzuara nga gjuha arabe. Për të mashtruar më tej armikun, ai shtoi disa indicie të rreme, të pakuptimta, për të çorientuar ata që i kishin marrë në zotërim ilegalisht”. Zbulimi erdhi në qershor 2022, kur ekipi i Pierrot arriti të deshifronte një fjali të tërë në letër, falë një letre tjetër të shkruar nga ambasadori Jean de Saint-Mauris, në të cilën marrësi kishte skalitur një formë kodi transkriptimi.

Edhe pse perandori ishte i fiksuar me idenë për të qenë viktimë e një komploti për ta hequr qafe atë, Charles V nuk vdiq nga dhuna. Në 1556, pas humbjes shkatërruese të flotës perandorake në Ponza, më i madhi i Habsburgëve vendosi të abdikonte në favor të vëllait të tij Ferdinandit dhe djalit të tij Filipit, të cilët ndanë kurorat e shumta të Charles V. Ish-perandori u tërhoq në një manastir në Yuste, në Extremadura (Spanjë), ku vdiq në 1558, pasi u prek nga malaria.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani