Rrugët që bllokohen në Tiranë që nga 5 dhjetori

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 08:49 | Aktualitet
Rrugët që bllokohen në Tiranë që nga 5 dhjetori

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave dhe rrugët që do të bllokohen në Tiranë për sigurimin e mbarëvajtjes së samitit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, më 6 dhjetor. Bllokimi nis nga e hëna, në orën 14:00 dhe zgjat deri të martën pasdite, pas largimit të delegacioneve të liderëve europianë.

Për garantimin e sigurisë së personaliteteve të larta europiane pjesëmarrëse në të, perimetri i sigurisë do të përfshijë Stadiumin “Air Albania”, Pallatin e Kongreseve dhe godinën e kryeministrisë dhe gjithë zonën përreth.

Sipas planit të masave në këtë zonë do të ndalohet tërësisht lëvizja e automjeteve, si edhe e qytetarëve që nuk janë rezidentë, përveç të punësuarve. Referuar masave, e bllokuar do të jetë rruga e Elbasanit nga kryqëzimi i “7 xhuxhave” në rrethrrotullimin e Saukut, segmenti i Unazës së Vogël në të dyja krahët nga “7 xhuxhat” deri te kryqëzimi pranë parkut “Rinia”, si edhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga ura e Lanës, deri tek ish-Garda e Republikës.

E bllokuar do të jetë edhe rruga nga ura e këmbësorëve mbi Lanë pranë Katedrales Katolike, deri te stadiumi “Air Albania” dhe çdo aks që lidh këtë rrugë me rrugën e Elbasanit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Për të krijuar një korridor sigurie për shoqërimin e delegacioneve nga Rinasit në Samit, do të jetë tërësisht i bllokuar aksi nga rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re në drejtim të Pallatit me Shigjeta – ish-sheshi Shqiponja - autostrada Tiranë-Durrës – Kthesa e Kasharit-Rinas.  

Nga ana tjetër, me gjithë këmbënguljen e Partisë Demokratike për të protestuar në bulevard në 6 dhjetor, Policia e Shtetit e vlerëson këtë përpjekje cenim të perimetrit të sigurisë.

Zyrtarët e Policisë së Shtetit pohuan se në institucionet arsimore brenda perimetrit të sigurisë do të ketë mësim më 6 dhjetor. Punonjësit në institucionet publike a private do të identifikohen me “badget” përkatëse, ndërsa banorët rezidentë do të identifikohen nga Specialistët e Policimit në Komunitet, madje do të shoqërohen nga efektivë drejt banesave të tyre.

Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”;

Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, tek ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri te kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”. 

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.

Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.

Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.

Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë dhe në kthim për në Rinas.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.

Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidentë në perimetrin e sigurisë, sqarojmë se:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga krahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga krahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos