Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Samiti i BE, Tirana bëhet gati të presë Europën

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 16:17 | Aktualitet

Gjithçka duket se është gati për pritjen e delegacioneve të Bashkimit Europian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të marrin pjesë në Samitin historik që do të zhvillohet në Tiranë. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" është dekoruar me flamuj kuqezi dhe të BE-së, ndërsa në shtyllat anës tij janë vendosur fotografi të personaliteteve shqiptare, por edhe të shteteve anëtare të unionit, si Ismail Kadare, Helmut Kohl, Jean Monnet, Charles de Gaulle, Altiero Spinelli apo Goethe.

Edhe Pallati i Kongreseve është rregulluar me stenda dhe podiume, të cilat janë dekoruar me motive popullore shqiptare, por edhe ngjyrat e flamurit të Bashkimit Europian.

Aktiviteti nis të martën në orën 10:15, me mbërritjen e delegacioneve dhe pritjen zyrtare. Në orën 11:45 është planifikuar fotoja zyrtare. Në 12:15, programi vijon me seancën plenare dhe drekën e punës dhe në orën 14:30 me konferencën për shtyp.

Temat kryesore të diskutimit do të jenë pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe adresimi i sfidave të paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Disa ditë më parë, punonjësit e Bashkisë Tiranë punuan edhe për pastrimin dhe dekorimin e ambienteve të jashtme të Pallatit të Kongreseve, duke vendosur vazo me lule dhe duke pastruar shkallët. Punonjës të tjerë kanë hapur kanalet për kalimin e kabllove që do të duhen për sigurimin e infrastrukturës teknologjike për samitin njëditor.

Samiti zhvillohet në kushte të rrepta sigurie. Në të njëjtën ditë, në orën 12:00, opozita ka paralajmëruar se do të zhvillojë protestë para Kryeministrisë. Zona është brenda perimetrit të sigurisë së Samitit dhe policia ka bërë të qartë që nuk do të lejojë zhvillimin e saj aty. Por opozita këmbëngul se nuk do të ndryshojë vendin e mbajtjes së protestës.

Nga ora 14:00 e së hënës nisi zbatimi i masave të sigurisë. Sipas burimeve të A2 CNN, siguria do të jetë në 16 nivele dhe të gjithë personat që do të mund të aksesojnë ambientet e Samitit do të jenë të pajisur me dokumente identifikimi sipas niveleve të caktuara. Ndërkohë, të martën, të gjitha rrugët që ndodhen pranë stadiumit Arena Kombëtare do të bllokohen për makinat dhe këmbësorët. Gjithashtu, të bllokuara do të jenë aksi që lidh Tiranën me Rinasin në Qafën e Kasharit, si dhe Unaza e Madhe në rrethrrotullimin e Saukut.

Aeroporti “Nënë Tereza” njoftoi të gjithë pasagjerët që do të udhëtojnë gjatë ditës së nesërme se duhet të paraqiten në aeroport 4 orë përpara fluturimit të tyre. Sipas njoftimit të aeroportit, prezenca e hershme kërkohet në mënyrë që pasagjerët të mos rrezikojnë të humbasin fluturimin e tyre. Më 6 dhjetor, Tirana do të presë përmes aeroportit “Nënë Tereza” delegacionet europiane dhe të rajonit që do marrin pjesë në samit.

https://a2news.com/2022/12/05/samiti-i-be-ne-tirane-dekorohet-pallati-i-kongreseve/
https://a2news.com/2022/12/05/samiti-i-6-dhjetorit-policia-publikon-masat-rruget-qe-do-te-bllokohen-dhe-oraret/
https://a2news.com/2022/12/05/opozita-neser-ne-proteste-berisha-europa-ta-dije-qe-rama-e-karrigen-te-kalbur-nga-votat-e-vjedhura/
https://a2news.com/2022/12/04/prag-samiti-i-be-rama-protesta-e-pd-marrezi-e-mision-i-te-paguarve-nga-rusia/

A2 CNN Livestream

Dita jonë