FOTOLAJM | Pasi u godit me grusht, Berisha me çarje në hundë dhe mollëz

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2022, 13:23 | Aktualitet

Sali Berisha ka mbetur i lënduar në fytyrë pasi u godit me grusht nga një person, gjatë protestës së opozitës. Pavarësisht plagëve në mollëza dhe hundë, Berisha nuk u largua dhe vijoi të mbante fjalimin e tij.

Në fotot e realizuara nga fotografi Feliks Bilani, duket se kryetari i Partisë Demokratike ka një fryrje në mollëzën e djathtë, ku edhe u godit.

Pas incidentit, lideri demokrat iu drejtua protestuesve me një mesazh në podium, ku theksoi se asgjë në botë nuk e mposht popullin opozitar. “Asgjë në botë nuk na mposht ne popullin opozitar. Poshtë kriminelët! Ne do të triumfojmë! Rroftë opozita shqiptare! Jemi bashkë për të protestuar kundër regjimit të horrave e kriminelëve”, u shpreh Berisha.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se personi është me probleme të shëndetit mendor. Ai është identifikuar si Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tepelena.

Pas goditjeve të marra nga truprojat e Berishës, Shehu është transportuar në spitalin e Traumës. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se atje, ai është arrestuar nga efektivët e policisë.

Mësohet se ai iu afrua turmës me vrap dhe goditi edhe disa operatorë të mediave për t’i hapur rrugën para se të mbërrinte para kryetarit të PD-së, duke e goditur në fytyrë.

Një person ka goditur me grusht kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa ai dhe protestuesit po shkonin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Personi është izoluar dhe rrahur nga truprojat dhe mbështetës të tjerë të opozitës.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu