Goditi me grusht Berishën, mjeku psikiatër i Gert Shehut: Dokumentin e kam lëshuar unë, është autentik

Publikuar më: 7/12/2022, ora 09:43
berisha goditet 1280x720

Goditi me grusht Berishën, mjeku psikiatër i Gert Shehut: Dokumentin e kam lëshuar unë, është autentik

Publikuar më: 7/12/2022, ora 09:43

Sali Berisha deklaroi të martën se dokumenti ku vërtetohej se Gert Shehu, personi që e goditi me grusht në protestën e opozitës, ishte me probleme të shëndetit mendor, ishte e fabrikuar nga qeveria. Sipas Berishës, Gert Shehu ishte shtyrë nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe Ardi Veliu për të kryer sulmin ndaj tij.

Por përmes një statusi në Facebook, mjeku Sadik Lala, thotë se ia ka lëshuar ai dokumentin për Gert Shehun dhe ai është autentik.

“Së pari i uroj nga zemra Profesorit tim të nderuar Z. Berisha; të gëzojë shëndet dhe i uroj rikuperim të shpejtë. Po ashtu si mjek dhe qytetar, të njëjtën gjë i uroj edhe pacientit tim Gert Shehu. Mendoj se çdo njeri me një mendje të arsyeshme bie dakord se këto incidente të dhunshme nuk do të dëshironte të ndodhnin kurrë, por ja që ndodhin. Duke marrë shkas nga shumë deklarime të bëra në media të ndryshme për këtë rast, ndjej përgjegjësinë profesionale dhe qytetare të sqaroj shkurtimisht për sa më poshtë:

Dokumenti mjekësor (është një vërtetim i kërkuar nga familjarët për ta paraqitur në polici). Ky vërtetim  është një dokument autentik i lëshuar nga unë, i cili ka numër regjistri, datë, firmë, vulë time personale dhe vulën e klinikës.

Në fund dokumentit (vërtetimit) citohet fjalë për fjalë: “Lutemi mos hezitoni të kontaktoni në se kërkohen të dhëna më të hollësishme”. Ky koment nënkupton detyrimin të japim të dhëna të detajuara Vetëm për institucionet e përcaktuara me ligj.

Arsyeja përse në këtë dokument nuk është përcaktuar diagnoza,  është sepse kam detyrimin ligjor të sanksionuar në ligji për të drejtat e pacientit, për të mos bërë publike të dhëna konfidenciale të pacientit”, shkroi Lala në Facebook.

Pasi goditi Berishën me grusht, Gert Shehu u rrethua nga truprojat dhe simpatizantë të kryetarit të PD, të cilët e goditën me grushte dhe shqelma. Ai u dërgua në Spitalin e Traumës, ku edhe iu komunikua masa e arrestit.

Dy janë akuzat që rëndojnë mbi Shehun: plagosje e lehtë me dashje dhe plagosje për shkak të detyrës. Ndërkohë, janë kryer edhe veprimet e para hetimore, si marrja e deklarimeve të personave prezentë në ngjarje. Grupi i hetimit ka marrë edhe pamjet nga kamerat e mediave të pranishme, ndërsa pjesë e hetimit janë bërë gjithashtu lëvizjet e mëparshme të 31-vjeçarit Gert Shehu dhe personat që ka kontaktuar më herët agresori.

Në ditët në vijim, pritet që 31-vjeçari të paraqitet para gjykatës për masën e sigurisë derisa të zbardhet plotësisht incidenti.