Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Fitimet e çmendura të energjisë shkojnë për shtresat në nevojë

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 15:39 | Ekonomi
Fitimet e çmendura të energjisë shkojnë për shtresat

Tatimi i fitimit nga kriza për kompanitë e energjisë, ka nisur diskutimin në Parlament, pak ditë nga përfundimi i vitit. Përfaqësuesit e qeverisë kanë prezantuar projektligjin që shmang fjalën taksë dhe vjen me termin “kontribut solidariteti”.

“Do të ketë një efekt të kufizuar në kohë, jo më larg se 31 dhjetori i vitit 2024. Po ashtu, të ardhurat që do të krijohen do të alokohen në një llogari të posaçme të buxhetit të shtetit dhe do të përdoren për paketa sociale në ndihmë të qytetarëve dhe biznesit”, tha Enea Karakaçi, drejtor i politikave dhe zhvillimit të energjisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas demokratëve, ligji është efektivisht një taksë, për sa kohë ajo mblidhet me detyrim, ndërsa sipas deputetit Helidon Bushati, efekti i saj prapaveprues bie në kundërshtim me Kushtetutën. “Neni 155 e thotë shprehimisht, çdo lloj takse detyrimi financiar nuk mund të ketë efekt prapaveprues”, tha Helidon Bushati.

Përfaqësuesit e qeverisë hodhën poshtë termin tatim dhe papajtueshmërinë me kushtetutën, duke dhënë edhe shembuj të shteteve europiane që tashmë e kanë marrë një hap të tillë. “Nuk është tatim, është fond që krijohet për t’iu ardhur në ndihmë grupeve sociale, shtresave vulnerabël”, tha zv.ministri Ilir Bejtja. “Greqia e ka miratuar në vitin 2022 dhe ka pasur efekt prapaveprues edhe për 2021-shin. Italia gjithashtu e ka miratuar, me efekt nga 2021”, tha Karakaçi.

Kontributi i solidaritetit do të llogaritet për pjesën e energjisë së shitur mbi 8.5 lekë/kilovatorë, nga prodhuesit e energjisë në tregun e lirë. Kontributi do të jetë sa gjysma e këtij fitimi të paparashikuar të këtyre kompanive. Qeveria parashikon në buxhet që 8.3 miliardë lekë, apo rreth 72 milionë euro të vilen nga ky kontribut special.

https://a2news.com/2022/11/23/tatimi-i-vecante-per-energjine-shteti-merr-gjysmen-e-shitjeve-mbi-8-5-leke-kwh/
https://a2news.com/2022/11/29/energjia-nga-rrebeshi-kesh-arketoi-93-milione-euro-nga-shitjet-e-teprices/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani