Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Letërsi shqiptare apo e huaj? Titujt e librave më të shitur të vitit 2022 dhe çfarë sugjerohet për 2023

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2022, 11:05 | Aktualitet

Nga letërsia shqipe tek ajo ndërkombëtare, cilët ishin librat më të shitur në vendin tonë gjatë vitit 2022? Përgjigjen e dhanë në “Dita jonë” botuesja Arlinda Dudaj dhe përkthyesja Aida Baro. Padyshim që fituesja e çmimit Nobel në Letërsi, Annie Ernaux, e panjohur më parë për lexuesin shqiptar, bëri bujë në shitjet e këtij viti, por edhe shkrimtarët Ermal Meta dhe Lea Ypi.  Ndërsa në panairin i librit më të shiturit rezultuan Ben Blushi dhe Enkel Demi.

“Në panair u bë një lloj matje e sigurt për shitjet dhe ndër më të shiturit kanë qenë dy autorë shqiptarë Ben Blushi me “41 sekrete" dhe Tom Kuka me romanin e fundit “Rrethimi”. Letërsia shqipe është lënë mënjanë dhe ky është një vlerësim për letërsinë shqiptare. Herë pas here ndryshon trendi i lexuesve. Shqiptarët janë lexues inteligjentë dhe zgjedhin autorë që kanë emër si autorë të mirë”, thotë Aida Baro.

Përveç këtyre sa u përmendën më sipër, botuesja Dudaj thekson gjithashtu se librat më të shitur për një kohë të gjatë janë të letërsisë ruse dhe Orhan Pamuk.

“Annie Ernaux ishte shkrimtarja që duhej njohur, është shkrimtarja më e shitur për vitin 2022 dhe bëri bujë. Libri i Ermal Metës “Nesër e përgjithmonë” mund të quhet libri i vitit 2022, meriton vëmendje dhe ka shumë nga historia jonë, Valerie Perrin me “Lulet  e shpirtrave” është botuar në 40 gjuhë të botës dhe është një sukses ndërkombëtar. Po kështu edhe Lea Ypi me “Të lirë”. Është një reflektim që lexuesi e merr ndjesinë kur një gjë është e vërtetë dhe përballja me të shkuarën tonë pa frikë. Bestseller janë letërsia ruse dhe Orhan Pamuk është një bestseller. Ajo që vuaj unë është fakti që këto libra merren dhe harrohen aty”, shprehet Dudaj.

https://youtu.be/6X3tBkFAaJE

Po çfarë librash do të sugjeronin Dudaj dhe Baro për vitin 2023 për lexuesin shqiptar?  

“Për 2023 është libri i Michel Obama “Drita që ne mbajmë”.  Në Londër është në krye të klasifikimeve. Për ne do të jetë libri i vitit 2023, por libri i Javier Marias me “Berta Isla” e sugjeroj pa fund, se nuk do të kemi më libra nga Javier Marias, i cili humbi jetën në mënyrë të trishtë këtë verë”, sugjeron Dudaj.

Ndërsa për Baron, sugjerimi i vitit 2023 do të ishte “Ëndrra dhe dashuri të një jete” të shkrimtarit grek M. Karagacis

“Libri është shkruar në vitet ‘30-‘40 për Greqinë e asaj kohe. Edhe pse jemi 100 vjet më mbrapa gjërat që ka nevojë njeriu; dashurinë për jetën, dëshirën për të arritur majat. Sa jemi të gatshëm të mirëpresim dashurinë? Kushdo që kërkon përveç pasionit për punën paranë dhe suksesit mbeten të zbrazur nga dashuria”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë