Argjentina në festë, kampionët kthehen në shtëpi, pritje madhështore në Buenos Aires
Argjentina në festë, kampionët kthehen në shtëpi, pritje madhështore në Buenos Aires
Një natë feste në të gjithë Argjentinën. Kombëtarja albiçeleste mbërriti në shtëpi në orët e para të mëngjesit ku qindra mijëra tifozë kishin dalë për të përshëndetur skuadrën. Familjarë, fëmijë, të rritur pa dallim moshe braktisën gjumin dhe i dedikuan gjithë natën ekipit të tyre fitues.
Ndonëse ora shënonte 3 e mëngjesit kur albiçelestët u ulën në tokën argjentinase, në Buenos Aires kjo nuk llogaritej, por të gjithë brohorisnin për ekpin e tyre.
Nga autobusi, skuadra përshëndeste tifozët që kishin udhëtuar deri në aeroport në shenjë mirënjohjeje për ekipin.
Disa qanin, disa këndonin, disa përqafoheshin me njëri-tjetrin teksa thërrisnin emrat e heronjve të tyre mes shumë emocionesh. Nga ana tjetër, shumë tifozë argjentinas kujtuan dhe të madhin Diego Maradona, i cili ndërroi jetë dy vite më parë po që mbetet i pavdekshëm për të gjithë tifozët mbarëbotërorë.
Festimet do të vazhdojnë dhe më vonë në sheshet kryesore të Bunos Aires ku është programuar dhe ceremonia zyrtare. Për Albiçeleste, ky është titulli i tretë kampion bote pas atyre të viteve 1978 dhe 1986.