Sa është shtrenjtuar tavolina e Vitit të Ri

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2022, 18:42 | Ekonomi

Sa është shtrenjtuar tavolina e Vitit të Ri

Gjeli i detit: 50% më shtrenjtë

Sallata ruse: 20% më shtrenjtë

Bakllavaja: 58% më shtrenjtë

Pijet: 23% më shtrenjtë

Kur të bëjmë gëzuar këtë vit, teksa akrepat do të shënojnë ndërrimin e viteve, krahas dëshirave për 2023-in, në mendje do të kemi edhe çmimet. Darka e fundvitit do të kushtojë shumë më tepër këtë vit, teksa inflacioni për ushqimet regjistrohet zyrtarisht në 14.7%.

Për të bërë një krahasim sa më efikas, kemi marrë për bazë vetëm gatimet tradicionale të festës, me çmimet e ingredientëve sipas të njëjtave marka dhe mundësisht çmimeve në ofertë në supermarkete.

Duke nisur nga pjata kryesore, gjeli i detit me përshesh, diferenca në çmim për të ngrënë të njëjtën sasi me të njëjtën shije, është ndjeshëm më e lartë se një vit më parë.

Gjeli i detit, peshë e gjallë, shitet sot në tregje rreth 1,200 lekë për kilogram, nga 800 lekë Dhjetorin e kaluar, një shtrenjtim me plot 50%. Ndërsa çmimi i miellit, sot 115 lekë, nga 98 lekë vjet, i shtohet listës së përbërësve të tjerë të shtrenjtuar si qepa, gjalpi, vaji i ullirit, apo erëzat.

Në total, ky gatim do të kushtojë këtë vit 5,278 lekë nga 3,518 lekë vitin e shkuar, për një diferencë prej plot 1,760 lekësh, që do të duhet të dalin nga xhepat e shqiptarëve.

Edhe sallata rus...Ukraina e lirë, krahas sanksioneve te emri, nuk ka arritur t’i shpëtojë rritjes së çmimeve. Për një sasi të bollshme për 4 persona, kryesisht falë shtrenjtimit të majonezës, kastravecave turshi dhe vajit të ullirit, kjo mesore do të kushtojë 1,555 lekë nga 1,258 lekë. Për një diferencë prej gati 300 lekësh.

Pijet janë në dorë të gjithësecilit, por mesatarisht 8 shishe birrë, 3 pije freskuese 1.5 litra dhe 2 shishe verë, do të kushtojnë 3,127 lekë. Për të njëjtat marka të këtyre pijeve, fatura vitin e shkuar do të ishte 2,525 lekë, pra 602 lekë më pak.

Ëmbëlsira për në fund dhe nuk mund të ishte asgjë tjetër përveçse bakllavasë. Edhe pse ka shumë që preferojnë kadaifin, bakllavaja është krenaria e çdo amvise dhe njëkohësisht ndër gatimet më të shtrenjta të fundvitit. Arrat janë shtrenjtuar ndjeshëm këtë vit, 650-700 lekë për kilogram të paqëruara. Po ashtu, edhe rritja e çmimit te sheqeri, që kërkon plot 1.7 kilogramë sasi, do të ndihet. Por mbi të gjitha, është gjalpi i freskët që do të shtrenjtojë ndjeshëm bakllavanë.

Një tepsi do të kushtojë 2,444 lekë, nga vetëm 1,541 lekë vitin e kaluar, për një diferencë prej plot 902 lekësh. Ky shtrenjtim është reflektuar edhe tek bakllavat e gatshme në markete, apo ato që bëhen me porosi në pastiçeri dhe furra buke.

Në total, për këto 4 elementë kryesorë të festës, fatura shkon në 12,407 lekë, pa hak pune dhe rrymë elektrike. Ndërsa një vit më parë do të ishte vetëm 8,842 lekë, apo 3,565 lekë më pak.

Kjo përbën një shtrenjtim prej 40% dhe kujtojmë që nuk përfshihet asnjë prej shpenzimeve të tjera të nevojshme: nga frutat, tek mishi i qengjit apo i viçit, pijet e tjera, frutat e thatë, apo as dhuratat poshtë bredhit.

https://youtu.be/yHcqUyawgg4
https://a2news.com/video/sa-e-perballojne-shqiptaret-rritjen-e-cmimeve-per-fundvit/
https://a2news.com/2022/12/20/festat-e-fundvitit-tryeza-e-pensionisteve-ne-durres-e-varfer/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi