INSTAT: Ekonomia u rrit me 4% në korrik-shtator

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2022, 12:25 | Ekonomi
INSTAT: Ekonomia u rrit me 4% në korrik-shtator

Ekonomia shqiptare u rrit me 4% gjatë tremujorit të tretë të vitit, që përkon me periudhën Korrik-Shtator. Shifrat e publikuara nga INSTAT konsiderohen të kënaqshme, duke konsideruar krizën e çmimeve që po kalon vendi.

Turizmi ishte faktori kryesor në këtë rritje, duke kontribuar në gjysmën e saj. Shifrat rekord të të huajve sollën mbi 1 miliard euro te hotelet, restorantet dhe agjencitë turistike të vendit, vetëm për periudhën e verës.

Ndërsa ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ndikuan në pjesën tjetër të rritjes dhe po tregohen sektorët më rezistentë që prej pandemisë.

Sakaq, rritja e fortë e eksporteve të industrisë përpunuese u penalizua nga importet e larta të karburanteve dhe të energjisë elektrike. Thatësira dhe çmimet bënë që në total, sektori të regjistrojë një rënie me 0.2 pikë përqindje.

Ndërsa bujqësia shfaqi një ecuri anemike, për shkak se fermerët dhe blegtorët janë goditur ndjeshëm nga çmimet e shtuara për inputet bujqësore, të reflektuara edhe në çmimet e produkteve të tyre.

Konsumi i popullatës, pavarësisht niveleve rekord të inflacionit, vazhdoi të rritet gjatë kësaj periudhe. Edhe pse sipas tregtarëve, kanë qenë të huajt që kanë ndihmuar në rritjen e shitjeve.

Qeveria shqiptare ka parashikuar një rritje ekonomike prej 3.7% për këtë vit, ndërsa gjysma e parë e 2022-it u regjistrua në territor pozitiv me rreth 4.17%. Në fund të këtij viti, përmirësimi i ndjeshëm i gjendjes në kaskadën e Drinit, rënia e lehtë e çmimit të karburanteve dhe shpenzimet e shtuara nga buxheti i shtetit, pritet të ndikojnë në ecurinë e ekonomisë. Kjo krijon kushtet për një rritje edhe më të lartë nga parashikimet.

https://a2news.com/2022/12/15/bilanci-ekonomik-11-mujor-rriten-te-ardhurat-dhe-shpenzimet-buxhetit-i-teprojne-9-6-miliarde-leke/
https://a2news.com/2022/12/09/inflacioni-ne-renie-pas-13-muajsh-ndikoi-vetem-nafta-ushqimet-vijuan-shtrenjtimin/

A2 CNN Livestream

A2 Business