Një rrugë e gjatë drejt Bashkimit Europian

Publikuar më: 31/12/2022, ora 21:01

Një rrugë e gjatë drejt Bashkimit Europian

Publikuar më: 31/12/2022, ora 21:01

Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare më 19 korrik të 2022 tregoi vetëm fillimin e një rruge të gjatë që duhet të përfundojë me integrimin e plotë të vendit në familjen europiane. Ulja në tryezë me përfaqësuesit e unionit në Bruksel kishte vetëm simbolike politike.

“Në këtë fazë jemi thjesht në procesin e kuptimit të situatës aktuale të palës kandidate, që është Shqipëria”, thotë për A2 CNN, Besart Kadia, Zv/ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Procesi “Screening” organizohet në dy faza. Në takimet Shpjeguese, Komisioni Evropian shpjegon përafrimin e legjislacionit të BE-së për Shqipërinë, ndërsa grupi negociator shqiptar ai që duhet të prezantojë nivelin e tij të përafrimit dhe të shprehë gatishmërinë për përafrimin e tij tërësisht në të ardhmen.

Shqipëria ndodhet në këtë fazë ku grupi teknik vijon takimet me përfaqësuesit e BE-së për të marrë shpjegimet e Brukselit dhe për të marrë detyrat që më pas të implementohen nga institucionet shqiptare.

“Është mbyllur procesi i takimeve të para shpjeguese për çdo kapitull i cili përafron legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Janë bërë takimet e para për sa i përket grupit themelor dhe në janar hapet dhe “cluster 2”, që ka të bëjë me tregjet e brendshme. Ku do të shpjegohet nga ana e Komisonit Europian çfarë legjislacioni ka Bashkimi Europian dhe më pas vlerësimi ku ndodhet një shtet kandidat”, thotë Kadia.

“Ky është procesi i shqyrtimit të legjislacionit, strukturave dhe kapaciteteve njerëzore, administrative për të zbatuar legjislacionin”, thotë Gledis Gjipali, drejtor i Lëvizjes Europiane në Shqipëri. “Pra, BE-ja bën një fotografim të të gjithë panoramës administrative dhe kapaciteteve të Shqipërisë”.

“Në këtë marrëdhënie të re që kemi hyrë me Bashkimin Europian, është e nevojshme që procesi të mos jetë më pronësi vetëm i qeverisë, por të ketë një diskutim dhe debat të gjerë për shumë çështje dhe tema”, thotë Jorida Tabaku, kryetare e Këshillit të Integrimit Kombëtar. “Për këtë arsye ne kemi kërkuar që të rritet roli që ka Kuvendi, së dyti përfshirja e opozitës dhe së treti shoqëria civile”.

Para se të çonte të besuarit e tij në Bruksel, Kryeministri Rama ndryshoi edhe kryenegociatorin, Zef Mazin e zëvendësoi me Majlida Dhukën, por duke e shoqëruar këtë detyrë edhe më një post mbështetës, ministër Shteti.

Zgjedhja e një kryenegociatore politike për të drejtuar negociatat me Brukselin sipas opozitës dhe ekspertëve nuk është zgjidhja më e mirë për një shtet kandidat. Pasi mund të ketë vështirësi në rast të rrotacionit politik, çka mund të ngadalësojë procesin e negociatave. “Sepse do të thotë që koka e grupit negociator ndryshohet”, thotë Gjipali.

“Gjatë kohës që kam drejtuar Ministrinë e Integrimit Europian kam dorëzuar një strategji, ku mendimi im ishte që patjetër kryenegociatori do të duhet të ishte njeri jopolitik, një ekspert i mirëfilltë i procesit të integrimit dhe të ketë mundësi të thërrasë pranë vetes ekspertët më të mirë”, thotë ish-ministrja Klajda Gjosha. “Ndryshimi i elitave politike sjell paqëndrueshmëri edhe në komunikimin me BE-në dhe na bën joserioz në negociata”.

“Ne morëm modelin kroat për Parlamentin, por kjo nuk u reflektua te grupi negociator. Sot, kryenegociatori i Shqipërisë duhet të ishte personi i cili ka eksperiencën më të mirë, duhet të ishte jashtë politikës. Edhe nëse do të ishte pjesë e politikës duhet të kishte një staturë. Në Kroaci ishte zëvendëskryeministri dhe poshtë tij duhet të ishin ekspertë jopolitikë”, thotë Tabaku.

Jo vetëm kryenegociatorja, por pjesë e grupit teknik janë edhe zv/ministrat, të emëruarit politik të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që opozita nuk ka një rol të rëndësishëm, të paktën në këtë fazë. “Nuk është lënë jashtë vetëm opozita, por edhe shumë ekspertë të mirëfilltë për të cilët do të ketë shumë nevojë”, thotë Kaljda Gjosha. “Prandaj dua që deputetët e të gjithë forcave politike të jenë të përfshirë. Që pavarësisht shkon e vjen një qeveri, Parlamenti mbetet i përfshirë në proces”, thotë Tabaku.

“Nuk është çështje e përfaqësimit politik, por i shtetit shqiptar. Prandaj në këtë proces nuk ka kurrësesi, nuk ka një shtet tjetër që shkon me një zyrtar të qeverisë dhe një të opozitës, për të shpjeguar se si duhet të ishte diçka. Ne shpjegojmë sesi janë gjërat dhe çfarë vullneti politik mund të ndërmerret”, shpjegon zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia.

Një tjetër problematikë për pakicën ka të bëjë me faktin se Kuvendi nuk njoftohet për punën e bërë të deritanishme me Komisionin Europian, madje as të Këshilli Kombëtar i Integrimit apo tek Komisioni Parlamentar i Integrimit. Për këtë arsye PD-ja së bashku me PS-në kanë nisur punën për të hartuar një ligj që do t’i japë Kuvendit një rol të renditeshim në procesin e integrimit, si dhe synon që Këshilli Kombëtar i Integrimit të ketë një rol vendimmarrës jo vetëm në nivel këshillues.

Po cili është hapi pasues për vendin tonë pasi KE-ja të japë një pasqyrim të përafrimit të Legjislacionit? “Mendohet që tashmë, duke qenë se ka nisur prej tetorit të këtij viti, mund të zgjasë më pak se një vit. Pra kur të jetë e qartë gjithë panorama dhe të jenë hartuar edhe planet e veprimit që i kërkohen qeverisë shqiptare në disa fusha specifike”, shpjegon Gledis Gjipali.

Komisioni harton raportin screening ku i paraqet vendeve anëtare gjetjet sa i takon nivelit të përgatitjes të Tiranës zyrtare për anëtarësim për çdo kapitull negociues. Konkluzioni i këtij raporti është rekomandimi për të hapur drejtpërdrejt negociatat ose për të vendosur kritere të caktuara për piketat që duhen përmbushur.

Por sa e kualifikuar është administrata shqiptare për të plotësuar rekomandimet e KE-së? “Unë do të thosha që kemi pasur mungesë të thelluar të administratës publike, të niveleve që ajo duhet të ketë, për shkak edhe të politikës”, thotë Kaljda Gjosha. “Sepse Shqipëria ka një histori që sa herë janë ndërruar qeveritë, është ndërruar edhe administrata”.

“Kritika mund të ketë për çdo lloj administrate kudo në botë, si në SHBA dhe vetë Komisionin Europian. Është normale”, thotë zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia. “Ky nuk është një proces që tashmë ka kaluar dhe ne të themi që ishte apo nuk ishte i mirë niveli i administratës publike. Fakti që ne kemi hapur zyrtarisht negociatat dhe puna që është bërë para këtij procesi vërteton faktin që i kemi kapacitetet.

Para se të nisin negociatat për kapituj specifik, Shqipëria duhet të depozitojë pozicionin e saj negociues, ndërsa BE-ja miraton pozicionin e saj të përbashkët. Për shumicën e kapitujve, BE-ja cakton piketa përfundimtare të cilat duhen përmbushur nga vendi kandidat para se të mund të mbyllen negociatat në kapitullin respektiv.

Sa do të zgjasë i gjithë procesi?

Kohëzgjatja e negociatave varet nga shpejtësia e zbatimit të reformave dhe përafrimit të legjislacionit të BE-së nga vendi ynë. Pasi arrihet një marrëveshje mes BE-së dhe vendit kandidat, si dhe pasi të jenë përmbushur piketat përfundimtare, kapitulli respektiv konsiderohet “pjesërisht i mbyllur”. Në çdo rast, negociatat nuk konsiderohen të mbyllura tërësisht për një kapitull, derisa çdo vend anëtar i BE-së të jetë plotësisht i kënaqur me progresin e Shqipërisë në kapitullin në fjalë. Procesi i negociatave përfundon vetëm pasi të jetë mbyllur çdo kapitull negociues, siç konfirmohet nga konkluzionet përkatëse të Këshillit Europian.

Në një moment që grupi negociator ndodhet tashmë brenda një procesi ku duhet të implementojë legjislacionin sipas normave të unionin, qeveria shqiptare ka hedhur për konsum publik dy nisma, Amnistinë Fiskale dhe pasaportat e arta, që deri më tani kanë hasur në kundërshtinë e BE.

“E cenojnë rëndë këtë proces. Cenojnë parimin e barazisë para ligjit, lidhen me pastrimin e parave, por edhe me dy kritere shumë të rëndësishme, që ne e kemi detyrë vazhdimisht, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Tabaku.

“T’i vendosësh Shqipërisë një barrikadë të tillë, të cilën Komisioni Europian por edhe shtete të tjera të rëndësishme partnere kanë thënë “jo”, madje ka dokumente që vërtetojnë pse nuk duhet Shqipëria të ketë këto nisma dhe rrezikun që ato sjellin”, thotë Gjosha.

“Edhe vende anëtare shpeshherë marrin iniciativa ligjore që Komisioni Europian mendon se nuk duhet ndërmarrë. Do të kujtoja vendet e Europës lindore. Nuk jemi në kushtet që kemi ndërmarrë një ligj specifik që është miratuar dhe ata kanë thënë se kjo do t’iu kushtëzojë në rrugën e integrimit europian. Për sa kohë nuk ka ndodhur atëherë është pyetje hipotetike e cila do të thosha nuk është fare shqetësuese në procesin ku jemi aktualisht”, thotë Kadia.

“Për sa i përket pasaportave të arta, do të thosha që ka një kundërshtim ta qartë që është një skemë e cila nuk funksionon, edhe në vende të tjera të BE-së nuk ka funksionuar”, shpjegon Gjipali. “Aktualisht, Malta është paditur në Gjykatën Europiane të Drejtësisë pikërisht për shkak të abuzimit me këtë sistem. Edhe Mali i Zi që e ka bërë vitin e kaluar, nuk ka pasur rezultat pozitiv”. 

Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann ditën që dorëzoi progresraportin në krah të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ju referuar rekomandimeve të dokumentit të Komisionit Europian shprehu kundërshtinë e Brukselit për këto dy nisma duke e argumentuar që pasaportat dhe amnistia sjellin rrezikun e pastrimit të parave.

“Miratimi i një amnistie tatimore penale kundër këshillave të BE-së dhe MoneyVal mund të vërë në rrezik këtë fushë dhe atë të pastrimit të parave. Bashkimi Evropian respekton sovranitetin e cilido shtet për të vendosur për skemat e nënshtetësisë, por duke pasur parasysh realitetin dhe luftën në Ukrainë, do të vinte në pah disa rreziqe. E dini që në mars KE-ja u rekomandoi shteteve anëtare që t’i jepte fund skemave të këtij lloji, javën e shkuar një shtet anëtarë i padit në gjykatën e drejtësisë së BE-së për shkelje të kësaj dispozite dhe secili shtet do të duhet të marrë vendimin”, tha ajo.

Çfarë do të ndodhë me ligjet që Shqipëria nuk i ka më përputhje me Brukselin? Dhe nëse sot qeveria miraton ligje që më pas do të duhet të rishikohen a vonon kjo procesin e përafrimit të legjislacionit? “Ndërkohë që ne diskutojmë kalojnë çdo ditë nëpër komisione ligje që nuk janë të përafruara, që janë pjesërisht të përafruara, të cilat në asnjë prej tyre nuk kemi përafrim të plotë”, thotë Tabaku.

Një rast që duhet shfrytëzuar

Pas agresionit rus në Ukrainë, BE-ja shtoi vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor për të shmangur ndikimin e Moskës në këto shtete. Për të treguar një mbështetje të veçantë, Brukseli mendoi të zhvendoste të gjithë liderët e kontinentit të vjetër në Tiranë. Diplomatët e akredituar në Tiranë dhe ekspertët për çështjet e integrimit mendojnë se liderët e Ballkanit Perëndimor do të duhet të përfitojnë nga kjo situatë, por sipas tyre pa harruar të bëjnë detyrat e shtëpisë.

“Ne ju duam juve në Bashkimin Europian. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është ky rajon në mes të Europës. Integrimi i çdo vendi bazohet tek meritokracia. Dhe kur vjen fjala për Shqipërinë, mesazhi im dhe i shtetit që përfaqësoj është që ju bëni detyrat tuaja dhe ne do t’ju mbështesim. Kjo do të thotë që integrimi i Shqipërisë është në duart tuaja”, thotë Peter Zingraf, ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

“Është një moment që duhet shfrytëzuar duke ecur shpejt në procesin e integrimit”, thotë Gjipali. “Për fat të keq, Shqipëria nuk ka përfituar në momente të tilla kur ka qenë atmosferë pozitive në BE për procesin e zgjerimit”.

Ekspertët për çështjet e integrimit kanë shprehur bindjen se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të anëtarësohen me të drejta të plota në një afat 10-vjeçar, por politika në Shqipëri nuk preferon të ketë një deadline.

Pasi të përfundojnë të gjitha negociatat dhe të plotësohen të gjitha kushtet e Brukselit, Shqipëria do të nënshkruajë dokumentin e Traktatit të Anëtarësimit me institucionet e BE-së. Kjo dispozitë duhet të ratifikohet nga Brukseli dhe çdo vend anëtar i unionit. Pas këtij momenti, Shqipëria bëhet anëtar i Bashkimit Evropian me të drejta të plota, kur qytetarët mund të lëvizin, të punojnë dhe të jetojnë në vendet e unionit me të drejta të plota dhe në përputhje me standardet e vendosura nga BE-ja.