Epidemia e shpopullimit

Publikuar më: 1/1/2023, ora 11:34

Epidemia e shpopullimit

Publikuar më: 1/1/2023, ora 11:34

Emigrimi, largimi i të rinjve dhe profesionistëve ka qenë kryetemë bisedash në vitin 2022, si në diskursin e politikanëve; në akuzat që shkëmbehen mes mazhorancës dhe opozitës; në takimet e biznesmenëve, për vështirësitë që ndeshin në gjetjen e punonjësve të kualifikuar; në ligjërimet e ndërkombëtarëve lidhur me migracionin e paligjshëm; si dhe në shtëpitë e shqiptarëve që çdo ditë e më shumë iu mungojnë familjarët e tyre. Shtrenjtimi i nivelit të jetesës dhe hapja e rrugëve pas pandemisë evidentohen si shkaqet kryesore për shifrat e larta të largimeve nga vendi këtë vit.

Shifrat e këtij viti që lamë pas, përshkruajnë familjet e secilit prej nesh.

Në mungesë të një statistike zyrtare, shifrat e largimeve nga Shqipëria, gjatë vitit 2022 vijnë si një puzzle nga e gjithë bota dhe çdo destinacione në kërkim të një jete më të mirë. Bashkimi Europian regjistroi për 8 muajt e parë të vitit mbi 8 mijë azilkërkues të regjistruar për herë në parë, nga të cilët 2500 ishin minorenë. Nga lotaria e përvitshme, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës sipas ambasadës janë larguar plot 2 mijë persona. 11,675 të rinj listohen zyrtarisht si studentë anembanë botës. Ndërsa ata të larguar ilegalisht drejt Britanisë së Madhe, shpeshherë duke rrezikuar jetën nëpër gomone, sipas “The Independent” ishin plot 12 mijë shqiptarë.

“Viti 2022 ka qenë një vit kur emigracioni ka njohur intensitet shumë të lartë, krahasuar me vitet e tjera”, thotë Ilir Gëdeshi, ekspert i studimeve sociale dhe ekonomike. “Duke e lidhur këtë edhe me faktin që ishte një vit pas pandemisë dhe me pasojat e krizës ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë”.

Ndërsa përgjigjen e ndjejmë në përditshmërinë tonë, në vendin e punës, në marketin poshtë pallatit, në takimet e të rinjve, sërish guxojmë të pyesim çfarë po i largon shqiptarët nga vendi i tyre. “Ikin kryesisht për faktorë ekonomikë, por edhe faktorë të tjerë. Shumë thonë që ikin për një arsimim më të mirë të fëmijëve, por edhe të tjerë që ikin sepse nuk shikojnë perspektivë në Shqipëri”, thotë Gëdeshi. “Ne kemi një diasporë të madhe. Secili nga ne ka të afërm, familjarë, shoqëri, që shërbejnë si magnet për të thithur në vendet e tyre”, thotë Erald Pashaj, ekspert punësimi.

Anglia, destinacioni i preferuar i shqiptarëve këtë vit.

Ekspertja e Ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, evidenton shifrat, sipas studimeve, se sa i kushton shtetit shqiptar largimi i çdo qytetari në nivele të ndryshme arsimi dhe formimi profesional. Përveç ndikimit në uljen e konsumit dhe në reduktimin e kontributeve në skemën e pensioneve, ka dhe një kosto arsimore të çdo shqiptari që largohet nga vendi. Këto shifra, Nunaj na i përcjell përmes një komunikimi online nga Italia, ku është zhvendosur pas bashkimit familjar.

“Nga disa të dhëna që kam nxjerrë, rezulton që arsimimi i një shqiptari që ka përfunduar shkollën në vitin 2018, nëse ka përfunduar shkollën fillore i kushton 6000 euro largimi, nëse ka përfunduar shkollën e mesme 9300 euro, nëse ka përfunduar studimet universitare 18 300 euro dhe nëse ka përfunduar studimet pasuniversitare, i kushton rreth 32 000 euro”, thotë Nunaj Kortoçi.

Vendimi për t’u larguar nga Shqipëria nuk është aspak i lehtë as për qytetarët që shkojnë ilegalisht në vende të ndryshme, duke rrezikuar jetën dhe duke mos pasur të drejtë për të gëzuar qoftë edhe të drejtat themelore. Nuk është e lehtë as për ata që heqin dorë nga profesioni i tyre për t’ia nisur nga e para jashtë kufijve. Ndërsa studentët që e shohin arsimimin si katapultë, duhet të mbështeten të kursimet e familjes apo edhe te borxhet për studime.

Sadete Mazari, vajza e dy infermierëve në Shqipëri, ka 4 muaj që ka shkuar në Londër për të studiuar për Marketing, ndërsa ka vite që mendohet mirë për një hap të tillë. “Jam konsultuar me familjen, kam punuar edhe unë, janë mbledhur kursimet, nuk është se ka qenë kaq e thjeshtë”, thotë ajo.

Kledisa Shemsi, vajza e dy mjekëve në karrierë në Durrës, ka ndjekur hapat e familjes dhe sot është mjeke specializante në Kardiologji. Profesion që e ushtron në Gjermani, pavarësisht dëshirës për të punuar pranë dy prindërve të saj. Duke i njohur mirë vështirësitë, sfidat dhe problemet e sistemit shëndetësor në vend, ajo vendosi t’i japë vetes një mundësi larg tij. “Pa diskutim që vendimi nuk ishte aspak i lehtë”, thotë ajo. “Unë jam fëmijë i dy mjekëve që janë të suksesshëm në fushën përkatëse”.

Të vazhdoj karrierën pas studimeve apo të kthehem në familje, në vendin tim? Kjo është dilema e përditshme e studentëve shqiptarë në botë. Sadetja dhe Kledisa nuk e mendojnë kthimin në Shqipëri. “Kur erdha muajin e parë mendoja se ky është vendi i ëndrrave, pastaj mendon “mos isha më rehat atje në Shqipëri?”. Domethënë gjatë gjithë kohës do të kesh dilema”, thotë Sadetja. “Për momentin nuk e shoh veten se do të rikthehem. Kam krijuar familje këtu”, tregon Kledisa.

Ndërsa Stivi, i cili studion në Kanada për ekonomi dhe shkenca politike ushqen veten me shpresë. “Njoh shumë studentë shqiptarë, që studiojnë në “Harvard” apo “Columvia”, që shumica e tyre planifikojnë të kthehen në Shqipëri. Kjo mua më jep një shpresë të jashtëzakonshme”, thotë Stivi Canka, student për ekonomi dhe shkenca politike në Kanada.

Pasojat i vuan Shqipëria, në çdo sektor. Dhoma Amerikane e Tregtisë dha alarmin se për këtë vit, sfida më e madhe e bizneseve në vend është gjetja e personelit të kualifikuar, duke lënë pas edhe problematika të theksuara si korrupsioni apo konkurrenca e pandershme. “Ky është problemi më i madh që anëtarët e dhomës kanë. Pra gjetja e stafit të kualifikuar për rritjen e tregjeve, rritjen e kompanive të tyre, por gjithashtu edhe për inovacionin”, thotë Enio Jaço, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Ndërsa eksperti i punësimit Erald Pashaj iu kujton bizneseve vendase që sot do vuajnë shprehjen e vjetër me të cilën i drejtoheshin punonjësve “Unë ju mbaj me bukë”. Sipas tij, ata janë të parët që pësojnë eksodin e profesionistëve. “Biznesi në Shqipëri, sidomos ai vendas, u gjet i papërgatitur. Madje them që sot po korrin atë që kanë sjellë. Ata janë sjellë shumë keq, përgjithësisht nuk janë sjellë korrekt. As në zbatim të kodit të punës, as në marrëdhëniet ndërpersonale me ta, as në marrëdhëniet financiare nuk kanë qenë korrekt”.

Për Erald Pashajn, bizneset shqiptare po korrin atë që kanë mbjellë.

Përballë shifrave të emigracionit, qeveria shpesh është përgjigjur me argumentin se në çdo vend njerëzit emigrojnë, ndërsa nuk ka pasur reflektim mbi arsyet që po nxisin largimin e trurit të Shqipërisë. Ekspertët shfaqen skeptikë për qëndrimet e qeverisë dhe gjykojnë se mosveprimi në kohën e duhur tashmë ka filluar që të shfaqë dukshëm pasojat.

“Unë nuk shoh asgjë të prekshme që qeveria të ketë bërë për të frenuar rrjedhjen e punonjësve”, thotë Pashaj. “Qeveria shqiptare më shumë dëm bën nga mosbërja e politikave mbështetëse”, thotë Nunaj Kortoçi.

Për një shtet mund të mos jenë shumë 25 vite për të bërë ndryshime thelbësore, por për një individ është 1/3-ta e jetës. Ndërsa lëmë pas vitin 2022, pritshmëritë janë që t’i dëgjojmë edhe në vijim të rinjtë dhe profesionistët të shprehen si Kledisa: “Nuk e imagjinoj dot kurrë veten time që unë tani të rikthehem në Shqipëri dhe të mësohem me mënyrën e punës dhe jetesës atje”.

Viti 2023, sipas ekspertëve, do të vazhdojë me të njëjtin ritëm largimesh dhe shpresa e vetme shihet te një “boom” i mundshëm ekonomik që ndoshta mund të joshë shqiptarët të kthejnë sytë nga atdheu i tyre. Me shpresë të thyer, Shqipërisë do i thuren gjatë vargje malli.