Bie sistemi TIMS, qindra qytetarë bllokohen në kufi, radhë kilometrike automjetesh

Publikuar më: 2/1/2023, ora 11:57
radhe ne kufi

Bie sistemi TIMS, qindra qytetarë bllokohen në kufi, radhë kilometrike automjetesh

Publikuar më: 2/1/2023, ora 11:57

Fluksi i lartë i emigrantëve shqiptarë, të cilët kaluan festat e fundvitit në vendin tonë dhe tani kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë, ka bërë që sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar me Greqinë të bllokohen.

Kjo ka sjellë edhe një numër të lartë automjetesh, të cilat kanë shkuar në disa kilometra, në drejtim të pikës së kalimit kufitar.

Por, defekti ka zgjatur vetëm disa minuta, pasi është rikthyer sërish për të vijuar me kalimin e udhëtarëve në drejtim të Greqisë ose anasjelltas.

Një nga pikat më të rënduara është pikërisht ajo e Kakavijës, ku sipas informacioneve të deritanishme rezulton se, që prej mëngjesit të sotëm numri i automjeteve që kalojnë është shtuar ndjeshëm.

Burime nga policia kufitare thanë se janë marrë të gjitha masat për përballimin e fluksit dhe aktualisht po punohet me tre sportele në dalje dhe dy në hyrje ndërkohë që pala greke po punon me dy sportele në hyrje dhe një në dalje.

Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në datën 1 janar kanë hyrë 1343 shtetas dhe kanë dalë 2617. Në Qafë-Thanë, kanë hyrë 1492 dhe kanë dalë 1904 shtetas.