A2 CNN ka siguruar kontratën që mundësoi nisjen e dy satelitëve Albania 1 dhe Albania 2 më 3 korrik në hapësirë nga raketa Falcon 9.
Kontrata është nënshkruar në muajin shtator të vitit të kaluar mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile me operatorin Satellogic USA. Satelitët do të ofrojnë një skanim të të gjithë territorit për një periudhë 3-vjeçare. Në kontratën me vlerë prej 663,794,542.50 lekësh ose 6 milionë dollarësh parashikohet edhe mundësia për të zhvilluar kapacitetet teknike e profesionale në vend për këtë lloj shërbimi.

Gjithashtu do të ofrohet edhe përpunimi i Informacionit Gjeohapesinor (GIS) si dhe ofrimi i produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.
Në kontratë theksohet se Agjencia e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion me saktësi dhe imazhe të cilat afrohen deri në 70 cm mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora. Do të ofrohet gjithashtu edhe një skanim i një zone mbulim prej 25 kilometrash përgjatë gjithë hapësirës kufitare zyrtare tokësore.

Një ditë më parë, kur u bë edhe nisja e satelitëve në hapësirë, Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se ky shërbim do t’iu mundësojë institucioneve përfituese marrjen e imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh.
Dy satelitët lëshohen në kuadër të kontratës se shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milion dollarë.
Në bazë të kontratës dy satelitët do të përdoren për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.
Ky shërbim do t’iu mundësojë institucioneve përfituese marrjen e Imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive. (A2 Televizion)
Ministria e Mbrojtjes