Polemika për priftin e parë jobinar: Zoti më ka drejtuar, edhe fëmijëve i duket normale

Publikuar më: 5/1/2023, ora 11:33

Polemika për priftin e parë jobinar: Zoti më ka drejtuar, edhe fëmijëve i duket normale

Publikuar më: 5/1/2023, ora 11:33

Po shkakton një diskutim të madh në opinionin publik britanik një intervistë e Bingo Allison, një 36-vjeçar ndoshta i panjohur më parë, por që do të hyjë në histori si i pari prift anglikan i gjinisë… jobinare.

Lindur si mashkull, Allison ka braktisur tashmë çdo diferencë gjinore, duke mos e quajtur veten as mashkull as femër, sa që i referohet vetes me termin neutral anglez “they”.

Identiteti i tij seksual nuk e ka penguar britanikun që të emërohet prift në vitin 2020 në katedralen e Liverpulit, ndërkohë që ai tashmë mban meshën në një kishë më të vogël në të njëjtin qytet.

Madje, ai, ose ata, siç i referohet vetes, mendon se zgjedhja e tij vjen nga vetë Zoti. “Ndjeva që Zoti po më drejtonte në këtë të vërtetë të re për veten time, pranimi i identitetit tim ishte një përvojë shpirtërore, si dhe emocionale dhe sociale, jo vetëm fizike”, deklaroi prifti anglikan, i cili vijoi duke thënë se pamja e tij nuk po shqetëson as të miturit.

“Kur mbaj jakën time, u bëj të ditur fëmijëve se kjo është në rregull dhe se ka një vend në Kishë dhe në botën e jashtme për njerëzit si unë”, shtoi ai. Deklaratat e priftit jobinar kanë shkaktuar polemika të ashpra te kolegët e tij më tradicionalistë.

Krerët e Kishës Anglikane nuk kanë shprehur ende qëndrimin e tyre, por sipas priftit Calvin Robinson, një nga më kritikët për hapjen ndaj modernitetit të kësaj Kishe të shkëputur në shekullin e 16-të nga ajo katolike nga mbreti Henry i 8-të, emërimi i Allison është një herezi dhe blasfemi. “Paraqitja e tij është shokuese, por le të fokusohemi te fjalët. Janë totalisht heretike”, ka deklaruar ai.

Kisha Anglikane i ka dhënë mundësi grave për t’u emëruar si prift në 1992, ndërkohë që në 2014 u emërua ipeshkvi i parë femër, Libby Lane.