Këshilltari i lartë i DASH: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira

Publikuar më: 6/1/2023, ora 09:45

Këshilltari i lartë i DASH: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira

Publikuar më: 6/1/2023, ora 09:45

Udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi duhet të marrin vendime të vështira dhe të tregojnë kuroja, në mënyrë që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin e shteteve të tyre.

Kështu u shpreh, këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një intervistë për zërin e Amerikës. Ai tha se propozimi i Bashkimit Evropian për një marrëveshje të mundshme është në drejtim “të mirë”.

 “Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të duhet shumë punë. Do të kërkohen vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendeve të tyre”, u shpreh zyrtari i lartë amerikan.

Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parashikon të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Por, në tekstin e propozimit, nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Chollet pritet të vizitojë së shpejti Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ai tha se do të bisedojë me liderët për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën që kriza të tilla të mos përsëriten. Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për çështjen e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar një prioritet.