Një ditë para Krishtlindjes, nuk ndalen luftimet në Ukrainë

Publikuar më: 6/1/2023, ora 14:52

Një ditë para Krishtlindjes, nuk ndalen luftimet në Ukrainë

Publikuar më: 6/1/2023, ora 14:52

Moska dhe Kievi sulmuan pozicionet e trupave ushtarake të secilës palë në lindje të Ukrainës, ndërsa nuk ka asnjë sinjal se do të respektojnë armëpushimin prej 36-orësh të shpallur nga presidenti Putin, me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.

Mëngjesin e së premtes, kur ishte edhe vigjilja e Krishtlindjeve për rusët dhe shumë ukrainas, predhat e Moskës goditën Kramatorskun, një qytet pranë vijës së luftës në rajonin e Donjetsk. Por sipas Agjencisë Ruse të Lajmeve TASS, ishte Kievi që kishte shkelur armëpushimin e njëanshëm, përmes të shtënave me artileri në Donjetsk.

Ukraina e refuzoi kërkesën e Putinit për armëpushim, me presidentin Volodymyr Zelensky që e cilësoi atë si një përpjekje të Moskës për të ndaluar avancimin e ushtrisë së tij në lindje të vendit. Volodymyr Zelensky. “Ata duan të përdorin Krishtlindjen si mburojë për të penguar avancimin e djemve tanë në Donbas, e për të sjellë pajisjet, municionet dhe trupat e veta më pranë pozicioneve tona”, tha Zelensky.

Në një deklaratë, Kremlini sugjeroi se presidenti Putin kishte urdhëruar reshtjen e luftimeve jo sepse kërkon zbutje të tensioneve, por sepse kishte dëgjuar thirrjen e kreut të Kishës Ortodokse ruse, Patriarkut Kirill.

Pasi presidenti turk, Recepp Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja ishte e gatshme të ndërmjetësonte për paqen mes dy vendeve, Sekretari i Përgjighshëm Antonio Guterres preu shpresat që një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit të ishte në horizont. “Besoj se jemi ende larg momentit kur mund të kemi negociata serioze për paqen. Aktualisht, është e rëndësishme të bëjmë gjithçka të nevojshme për të minimizuar impaktin e luftës”, tha ai.

Sakaq, Gjermania dhe SHBA-ja do të furnizojnë Kievin me automjete të blinduara, të cilat cilësohen ndonjëherë si tanke të lehta. Lajmi u bë i ditur pas një bisede telefonike mes kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe presidentit amerikan Joe Biden. Paketa amerikane e armatimeve, përfshin rreth 50 automjete të blinduara Bradley, si pjesë e një totali asistence ushtarake prej 2.8 miliardë dollarësh.