Plagosja e dy serbëve në Kosovë, Lista Serbe: Duan të vrasin të pafajshëm. Reagon dhe Kurti

Publikuar më: 6/1/2023, ora 19:00
Albin Kurti 1

Plagosja e dy serbëve në Kosovë, Lista Serbe: Duan të vrasin të pafajshëm. Reagon dhe Kurti

Publikuar më: 6/1/2023, ora 19:00

Lista Serbe ka nisur menjëherë akuzat drejtuar autoriteteve të Kosovës pas plagosjes me armë të dy serbëve në zonën e Shtërpcës.

Sipas subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë, ngjarja e fundit në Shtërpcë është pasojë e politikës anti-serbe të nxitur nga Kurti.

“Lista Serbe dënon ashpër tentativën e vrasjes së djemve serbë në fshatin Gotovushë dhe kërkon që urgjentisht të gjenden dhe të ndëshkohen përgjegjësit e këtij krimi brutal dhe të tmerrshëm. Në ditën e Krishtlindjes, kur fëmijët serbë po ktheheshin nga Badnjaku, pranë tyre u ndal një automjet me dy shqiptarë, të cilët i kërcënuan dhe më pas u përpoqën t’i vrisnin duke i qëlluar. Me atë rast u plagosën të dy djemtë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që për ngjarjen reagoi dhe kryeministri Albin Kurti, i cili dënoi sulmin dhe deklaroi se policia tashmë ka vënë në pranga autorin e dyshuar të këtij krimi.

‘E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm.  Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim’, u shpreh Kurti.

Dy qytetarët serbë, njëri prej të cilëve i mitur u qëlluan me armë zjarri nga një makinë në lëvizje.