Luks dhe adrenalinë, hoteli i ri që të lë të varur mbi greminë

Publikuar më: 7/1/2023, ora 15:31

Luks dhe adrenalinë, hoteli i ri që të lë të varur mbi greminë

Publikuar më: 7/1/2023, ora 15:31

Një koncept i ri hotelerie u propozon aventurierëve më të guximshëm doza të forta luksi por edhe adrenaline. Hoteli i ri, që planifikohet të ndërtohet në malet Sharajah në Emiratet e Bashkuara Arabe, ofron në vend të dhomave të gjumit tenda, të cilat nuk ngulen në tokë, por varen nga qindra metra lartësi.

Projekti i quajtur “Streha Pluskuese” është realizuar nga studio arkitekturore “Ardh Architect” me seli në Dubai, pas propozimit të Autoritetet të Zhvillimit dhe Investimit të Sharjah për të realizuar një tipologji të re hoteli.

Edhe pse në pamje të parë, studio ka sjellë si ide “ca tenda”, ato janë të pajisura me të gjitha kushtet e një dhome hoteli me 5 yje, me shërbim në dhomë, internet, kozmetika, të gjitha teksa ti qëndron i varur mes maleve.

Mes dy majave më të larta parashikohet të vendosen 10 tenda, secila me tualetin e saj privat dhe akses te një spa e përbashkët. Gjithashtu do të ketë edhe një holl dhe një restorant praktikisht në qiell, si dhe guida turistike për të shijuar bukurinë e maleve të zonës.

Sipas raportimeve, turistët do të mund të flenë në tenda vetëm gjatë muajve të dimrit, ndërsa në verë – nga maji e deri në shtator – do të mund të përdoren vetëm gjatë ditës. Tendat do të ndërtohen me material transparent, në mënyrë që të ftuarit të shijojnë pamjen magjepsëse, por pa harruar perdet për të siguruar izolim të plotë sa herë që të kenë nevojë.