Prezantoheshin si punonjës shtetëror për të mashtruar bizneset, 3 të arrestuar në Shkodër

Publikuar më: 7/1/2023, ora 14:57
Prezantoheshin si punonjes shteteror per te mashtruar bizneset 3 te arrestuar ne Shkoder 1280x720

Prezantoheshin si punonjës shtetëror për të mashtruar bizneset, 3 të arrestuar në Shkodër

Publikuar më: 7/1/2023, ora 14:57

Policia ka arrestuar 3 persona nga Shkodra, të cilët u kapën në flagrancë në tentativë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 130 000 eurosh. Në pranga përfunduan J. P., 40 vjeç, R. P., 31 vjeç dhe Sh. K., 36 vjeç, të tre banues në Shkodër. 

Drejtoria Hetimore kishte siguruar informacione falë inteligjencës informative, se disa shtetas kryenin veprimtarinë kriminale të mashtrimit, në disa biznese të ndryshme. Këta shtetas prezantoheshin si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash në euro.  

Bazuar në këto informacione, Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit referoi materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

Si rezultat i përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe bazuar në provat e mjaftueshme të siguruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Signal”, këta shtetas u arrestuan në flagrancë, në tentativë për të përfituar me anë të mashtrimit, në një biznes në Tiranë, shumën prej 130 000 eurosh.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 12 600 euro të tjera, të përfituara nga veprimtaria kriminale e mashtrimit. Në total, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 142 600 euro.

Në lidhje me këtë rast, nga Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për thellimin e hetimeve, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.