Ndërtimi i qendrës operacionale në fushën kibernetike, Peleshi: Pagat do t’i kemi më të mira se privati

Publikuar më: 8/1/2023, ora 11:26
Untitled Design 33 1280x720

Ndërtimi i qendrës operacionale në fushën kibernetike, Peleshi: Pagat do t’i kemi më të mira se privati

Publikuar më: 8/1/2023, ora 11:26

Ministri Niko Peleshi, në një konferencë për mediat, po bën paraditen e së dielës prezantimin e arritjeve të Ministrisë së Mbrojtjes për gjatë vitit 2022 dhe objektivat për vitin 2023.

Krah Peleshit ndodhet edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Arben Kingji, si dhe drejtori i përgjithshëm AKMC Haki Çako.

Në fillim të fjalës së tij, ministri e vuri theksin te rëndësia e rolit të ministrisë që ai drejton në këtë kohë lufte, valët e të cilës siç u shpreh ai, janë ndjerë “edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor.”

Si arritje të Mbrojtjes gjatë vitit që lamë pas, Peleshi renditi nisjen e ndërtimit të Bazës Ajrore taktike të NATO në Kuçovë, nënshkrimin e kontratës së shërbimit Satelitor në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe rritjen me 30% të pagave për ushtarakët e Forcave të Armatosura.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua mbrojtjes kibernetike duke marrë parasysh sulmet pre e të cilave ranë sistemet shtetërore gjatë vitit që lamë pas.

Peleshi kujtoi se këtë vit do të ndërtohet qendra opercionale e fushës kibernetike ndërsa theksoi se do të rriten edhe pagat e ekspertëve që do të punojnë në këtë qendër më shumë se privati. Qëllimi kryesor, sipas ministrit, është që të shmanget mungesa në burime njerëzore.

“Sa i përket sigurisë kibernetike, duhet të ngremë kapacitetet. Natyrisht që s’ka siguri 100% këtë duhet ta kemi parasysh të gjithë. Ama deri te 100% ka goxha hapësirë. 90% të sulmeve kibernetike mund të shmangen. Sepse u duk sikur thashë ndonjë sekret shtetëror para disa ditësh.”

Sa i përket partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Niko Peleshi theksoi se viti 2022 ishte një vit rekord i projekteve të modernizimit të FA me mbështetjen e SHBA-së.

Ministri i Mbrojtjes përmendi nisjen e zbatimit të projektit për ngritjen dhe fuqizimin e Njësisë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike si dhe përfundimin e fazës së parë të projektit të komunikimit Tokë-Ajër-Tokë (GAG)

“FA do të ketë pjesë të saj sistemin raketor antitank “Javelin” dhe atë kundërajror “Stinger”, shtroi Peleshi.

Ndërsa u zotua që se Forcat e Armatosura do të përfshihen edhe më shumë në art dhe në kulturë, Peleshi solli në vëmendje, se sipas tij, sakrifica e ushtarakëve shqiptarë shpesh përqeshet.

“…Admirimi dhe reputacioni për punën që ushtarakët tanë bëjnë shpesh herë larg kamerave. Kamerat na prekin më shumë kur përballemi me punë të emergjencave civile. Ndonjëherë edhe e përqeshin, sakrificën e ushtarakëve tanë. Dhe ne duam t’i kundërvihemi kësaj përqeshjeje, duke treguar që dimë të bëjmë edhe kulturë edhe art.”