Protestues me fanella të Kombëtares, Brazili në kaos nga mbështetësit e Bolsonaros

Publikuar më: 9/1/2023, ora 12:57

Protestues me fanella të Kombëtares, Brazili në kaos nga mbështetësit e Bolsonaros

Publikuar më: 9/1/2023, ora 12:57

Dhunë, kaos, institucione qeveritare nën sulm! Janë pamjet që erdhën nga Brazili këtë fundjavë, e që risollën në kujtesë mësymjen e Kongresit Amerikan, dy vite më parë.

Historia është e njëjtë; mbështetës të ish-presidentit të djathtë Jair Bolsonaro, të cilët nuk e pranojnë humbjen e tij përballë Lula Da Silva sulmuan Kongresin dhe Gjykatën e Lartë duke rrethuar gjithashtu pallatin presidencial.

Por policia rimori kontrollin e godinave qeveritare në kryeqytetin Brazilia mbrëmjen e së dielës, pas disa orësh përleshje.

Teksa inspektoi dëmet e Gjykatës së Lartë, presidenti Lula Da Silva u zotua të ndëshkojë autorët. Autoritetet thanë se mbi 300 vetë ishin arrestuar.

Guvernatori i qytetit Ibaneis Rocha, u pezullua për 90 ditë nga posti nga Gjykata e Lartë, pasi u akuzua se dështoi në parandalimin e trazirave dhe se kishte heshtur përballë sulmit.

Manifestime pro demokracisë po thirren nga liderët e së majtës dhe aktivistë rreth Brazilit. Skenat dramatike, ku mijëra protestues me fanellat e kombëtares së futbollit sulmuan zemrën e shtetit brazilian, erdhën vetëm një javë pas betimit të Da silvës.

Disa mijëra protestues kaluan barrikadat e sigurisë, thyen xhamat, hynë brenda dhe pushtuan godinat e Kongresit dhe Gjykatës së Lartë. Ky përfaqëson sulmin më të rëndë ndaj institucioneve në vend që prej vendosjes së demokracisë 4 dekada më parë.

Shumë prej protestuesve kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve të 30 tetorit, ku Luiz Inacio Lula da Silva mundi kundërshtarin Bolsonaro. Ish-presidenti e ka vënë në dyshim në mënyrë të vazhdueshme rezultatin e zgjedhjeve, por pa ofruar prova.