Besimi i bizneseve dhe qytetarëve, stabilizimi i çmimeve rikthen optimizmin në ekonomi

Publikuar më: 10/1/2023, ora 15:26

Besimi i bizneseve dhe qytetarëve, stabilizimi i çmimeve rikthen optimizmin në ekonomi

Publikuar më: 10/1/2023, ora 15:26

Me trendin e çmimeve drejt stabilizimit, bizneseve dhe qytetarëve u është kthyer sërish besimi në ekonomi. Sipas rezultateve të anketës të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u përmirësua për muajin e dytë radhazi në Dhjetor, me 2.7 pikë.

Ndërtimi dhe industria janë sektorët ku optimizmi është tani më i madh. Qëndrueshmëria e çmimeve të lëndëve të para në ndërtim ka ulur projeksionet për rritjen e kostove të apartamenteve të reja, ndërsa bizneset raportojnë edhe një gjallërim të aktivitetit ndërtues. Arsye që kombinuar me një kërkesë më të ulët për krah pune, kanë bërë që besimi në këtë sektor të rritet.

Përmirësim të pritshmërive të tyre shfaq edhe industria. Prodhimi pritet të vazhdojë rritjen, teksa edhe kontratat porositëse nga eksportet janë shtuar. Sipas INSTAT mallrat “Made in Albania” kanë rritur shitjet jashtë vendit me 32% vitin e kaluar, ndërsa po ashtu kostot e tyre kanë nisur të zbresin, veçanërisht për lëndët e para, energjinë elektrike dhe karburantet.

Më mirë e shohin veten edhe sektori i shërbimeve dhe ai i tregtisë, të cilët festat e fundvitit i ndihmuan me rigjallërimin e konsumit. Këto degë të ekonomisë, ku përfshihen kryesisht biznese të vogla dhe të mesme, raportuan kërkesë më të lartë, teksa edhe klientët e tyre, thënë ndryshe konsumatorët shprehen më optimistë.

Qytetarët iu përgjigjën pozitivisht pyetjeve të Bankës së Shqipërisë që kishin të bënin me çmimet, gjendjen e tyre financiare dhe shpenzimet. Por pavarësisht optimizmit, treguesi i besimit për konsumatorët qëndron ende nën mesataren historike, që do të thotë se kriza nuk është tejkaluar ende.