Diplomacia shqiptare, 36 ambasadorë jashtë mandatit, 9 në moshë pensioni

Publikuar më: 10/1/2023, ora 15:31

Diplomacia shqiptare, 36 ambasadorë jashtë mandatit, 9 në moshë pensioni

Publikuar më: 10/1/2023, ora 15:31

Që prej vitit 2018, Ministria e Jashtme nuk ka bërë asnjë ndryshim apo lëvizje mes ambasadorëve që përfaqësojnë Shqipërinë në botë. Duke ju referuar listës zyrtare, 36 diplomatë shqiptarë vijojnë punën përtej mandatit 3-vjeçar, rast që sipas drejtorit të Institurit të Studimeve Politike është i paprecedentë në politikën e jashtme.

“Shqipëria përbën rastin unikal në botë që diplomatët qëndrojnë prej një dekade në një vend të caktuar. Pothuajse të gjithë ambasadorët janë jashtë mandatit”, shprehet studiuesi Afrim Krasniqi.

Për këtë anomali diplomatike, Afrim Krasniqi bën përgjegjës qeverinë për emërimet politike, përplasjet institucionale dhe mosushtrimin e kërkesës së llogarisë nga Parlamenti.

“Ka tre arsye, diplomatët janë emëruar për shkak të njohjeve politike me kryeministrin ose partinë që përfaqëson. Mosmarrëveshjet mes kryeministrit dhe presidentit Meta. Komisioni i Jashtëm nuk e ka ngritur asnjëherë këtë problematikë, por merret me qoka”, thotë Krasniqi.

Nga përllogaritjet e A2 CNN, 9 ambsadorë të cilët vijojnë të përfaqësojnë Shqipërisë, përveçse përtej mandatit, kanë arritur edhe moshën e pensionit.

“Është shkatërruar koncepti i karrierës, individët qëndrojnë për sa kohë kanë besimin e kryeministri. është bllokuar karriera e diplomatëve të rinj dhe parimi i rrotacionit. Një diplomat që qëndron 10 vite në një vend rrezikon të ngatërrojë misionin e tij”, shprehet studiuesi.

Tre seli diplomatike shqiptare funksionojnë me diplomatë të ngarkuar me punë, pasi për shkaqe politike apo përplasje institucionale, Ministria e Jashtme nuk ka arritur të marrë një dekret për të emëruarit e saj.