Përjashtimet nga grupi parlamentar, reagon Salianji: Inatet e vogla nuk bëhen dot vendime

Publikuar më: 10/1/2023, ora 23:30
salianji 1 1280x720

Përjashtimet nga grupi parlamentar, reagon Salianji: Inatet e vogla nuk bëhen dot vendime

Publikuar më: 10/1/2023, ora 23:30

Deputeti i PD Ervin Salianji ka reaguar gjatë mbrëmjes p vendimin e Enkelejd Alibeaj për të përjashtuar pas një viti paralajmërimi deputetët Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj nga grupi parlamentar i asaj partie, që ai ende kryeson formalisht.

Sipas Salianjit vendimi shkon në të kundërt të asaj që i shërben partisë opozitare.

“Duhet bërë gjithçka për bashkimin dhe dhënien forcë demokratëve! Nuk ka përjashtime, sepse s’ka vendime të grupit parlamentar as mbledhje të tij! Kam keqardhje kur lexoj deklarata personale dhe në dëshpërim të cilat nuk i bëjnë mirë askujt. Sakrificat e demokratëve kërkojnë bashkim jo ndarje! Shqipëria meriton opozitë reale dhe dinjitoze, fati politik i çdokujt varet nga votat jo nga mllefet personale! Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, dhe inatet e vogla nuk bëhen dot vendime!”, shkruan ai në Facebook.

Salianji shtoi se “ Grupi Parlamentar do të reagojë me përgjegjshmëri dhe përpjekja për bashkim, do duhet të shihet me shumë respekt për ata qe e bëjnë realitet në interes të vendit dhe demokratëve. Kjo do te ndodhë! Vetëm kjo rrugë e bën fituese Partine Demokratike!”

Deputeti demokrat ka nisur takimet me kolegë të tij për të gjetur mënyra e tentativa të tjera për bashkimin e PD. Një nga mënyrat për të bashkuar grupin parlamentar të PD që Salianji po e diskuton me deputetët është zëvendësimi i kreut të grupit Enkelejd Alibeaj.