Skenari për marrëveshje që përjashton shqiptarët nga Kuvendi maqedonas, “do të hapte vazon e Pandorës”

Publikuar më: 10/1/2023, ora 23:01

Skenari për marrëveshje që përjashton shqiptarët nga Kuvendi maqedonas, “do të hapte vazon e Pandorës”

Publikuar më: 10/1/2023, ora 23:01

 Në mediat në Shkup flitet për një plan dhe qeveri të përbashkët mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-se, dy partive më të mëdha maqedonase dhe për të përjashtuar shqiptarët nga qeverisja. Ka zëra që këtë skenar e mbështet ish kryeministri Zoran Zaev dhe e kundërshton kryeministri Kovaçevski.

Sipas Ilir Kalemajt, i ftuar në ”Debat”, Pozita e shqiptarëve në rajon është më e forta në këto 100 vite. “Shqiptarët edhe pas marrëveshjes së Ohrit  nuk i kanë realizuar aspiratat  e tyre. Sot shqiptarët janë në pozicionet e tyre më të forta, ku shqiptarët kanë kryetarin e Parlamentit, zëvendëskryeministrin, ministrin e jashtëm dhe disa dikastere të tjera, madje parashikohet që në 100-ditshin e fundit para zgjedhjeve të jetë edhe një kryeministër shqiptar. Në Maqedoninë e Veriut janë bërë hapa përpara, por ka edhe pengesa”, thotë ai, por nga ana tjetër analisti Arben Ratkoceri nga Shkupi mendon se përgjegjësitë tashmë janë të vetë shqiptarëve. “Shqiptarët në Maqedoni problemet i kanë jo nga aspekti juridik, por nga mungesa e kapaciteteve të tyre shoqërore. Për sa i përket 20%, ajo është simbolike, të drejtat tashmë i ka të garantuara”.

Diplomati Flamur Gashi shton se “prekja e Kushtetutës ndodh rrallë. Nga momenti që Kushtetuta do të preket për maqedonasit, është e udhës të prekej një herë e mirë edhe për gjuhën shqipe,  dhe të mbyllej ky kapitull. Faktori shqiptar ka nevojë për kuadro adekuate, ky problem po haset dhe do të ishte investimi më i madh për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, për një lloj borxhi që ata i kanë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Por një përjashtim i faktorit shqiptar nuk duket i realizueshëm, pa destabilizuar atë vend. Sipas Gashit, “në politikë gjithçka është e mundur, por do të hapej një kuti e Pandorës që vështirë që do të mbyllej ndonjëherë. Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut nuk ka pa shqiptarët, që janë një e treta e vendit, ku shqiptarët kanë qenë faktori me stabilizues dhe integrues.

Shqiptarët nuk kanë nevojë të unifikohen me çështje që nuk kanë shumë të bëjnë me to, por kanë nevojë të jenë së bashku në çështje të integrimit euroatlantik.

Cili është roli i Tiranës këtu, ndërkohë që liderët shqiptarë pikërisht sot janë ftuar nga kryeministri Rama.

Sipas Gashit, “ Shqipëria  nuk duhet të luaj role paternaliste. Duhet të ishte një kujdestar i vëmendshëm, për shuarjen e debateve të panevojshme. Shqiptaret e Maqedonisë kanë ditur të orientohen edhe pa këshilla nga Tirana dhe Kosova, shpesh herë edhe më mirë”, ndërkohë që  Ratkoceri shton se “Maqedonia është shumë specifike. Aty ku përzihet Sofja, Athina për mos të flasim për Beogradin, është e nevojshme që herë pash here të dërgojë porosi te faktori ndërkombëtar që nuk mund të anashkalohet në vendimet, sidomos kur është në interes të shqiptarëve aty”.