Chollet në Kosovë, përpjekje për të shtyrë përpara dialogun

Publikuar më: 11/1/2023, ora 10:13
CHOLLET NE KOSOVE 1280x720

Chollet në Kosovë, përpjekje për të shtyrë përpara dialogun

Publikuar më: 11/1/2023, ora 10:13

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, po zhvillon një vizitë në Kosovë mes përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Fillimisht, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa më pas janë parashikuar bisedime me kryeministrin Albin Kurti. Ditën e enjte zyrtari amerikan do të vizitojë Beogradin. Sipas njoftimit të DASH, Chollet do të bisedojë me liderët e Kosovës dhe Serbisë për integrimin euroatlantike, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohje reciproke. Propozimi europian, apo siç njihet ndryshe plani franko-gjerman pritet të jetë në fokus të vizitës.

Chollet e ka përmendur atë, si një drejtim të mirë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare. Këshilltari I DASH vizitoi më herët gjatë ditës Shkupin,  ku konfirmoi partneritetin strategjik me Maqedoninë e Veriut.  Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha pas takimit se SHBA mbështet ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare. Sipas tij, Chollet kishte theksuar se nuk ka alternativë tjetër për Shkupin, përveçse integrimi në BE.