Përjashtimet, Berisha: Alibeaj ka zbatuar urdhrin e Ramës, për Salianjin do pranoj vullnetin e deputetëve

Publikuar më: 11/1/2023, ora 17:04
SALI BERISHA frame 9930 1280x720

Përjashtimet, Berisha: Alibeaj ka zbatuar urdhrin e Ramës, për Salianjin do pranoj vullnetin e deputetëve

Publikuar më: 11/1/2023, ora 17:04

Në PD po mblidhen firmat për shkarkimin e Enkelejd Alibeaj nga posti i kryetarit të grupit parlamentar, pas vendimit të tij për të përjashtuar nga ky grup deputetë si Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçit dhe Agron Shehajt.

Sipas liderit të partisë, Sali Berishës, Alibeaj ka zbatuar një urdhër nga Edi Rama. “I keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama për arsyet që i di vetë ai. Zbatoi një urdhër të Edi Ramës duke shkelmuar edhe më shumë mbi dinjitetin e tij”.

Sipas ish-kryeministrit, i pyetur për mbështetjen  e tij për një kandidaturë të mundshme të Salianjit për ta zëvendësuar, “Salianji për definicion është nënkryetar grupi, kështu që unë do të pranoj pa diskutim vullnetin e deputetëve të Partisë Demokratike. Detyrat e opozitës janë shumë të mëdha sot, siç është qeveria është bashkia. Është një pushtet i kalbur, një pushtet që qëndron i tëri mbi vjedhjen, gënjeshtrën, mashtrimin”.

Berisha foli edhe për skandalin e parave të vjedhura Alda Klosit, ish-drejtoreshës së kabinetit në Ministrinë për Rindërtimin dhe Programin për Reformat, e drejtuar nga Arben Ahmetaj.

“Rasti i Alda Klosit mund  të jetë secila nga ministret, secili nga ministrat. Vetë Edi Rama. Vjen zonja me 40m2 apartament dhe bëhet me 7 apartamente, fillon ndërtimin, lumturon edhe të tjerë përreth saj. Nuk ndodh kund. Kurrë një qeveri nuk mund t’i lejojë vetes abuzime në këtë shkallë. E them edhe një herë, ajo që ishte po kaq përpjekje e Edi Ramës për ta fshehur emrin e Alda Klosit. Emri i Alda Klosit më është dërguar nga qytetari digjital sapo doli skandali dhe e bëra publike sepse nuk po e bënin publik emrin e zyrtares”, shtoi ai.