Përjashtimet nga grupi, Alibeaj kritikohet edhe nga deputetët që e kanë mbështetur

Publikuar më: 11/1/2023, ora 16:30

Përjashtimet nga grupi, Alibeaj kritikohet edhe nga deputetët që e kanë mbështetur

Publikuar më: 11/1/2023, ora 16:30

Vendimi i Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar edhe katër deputet të tjerë nga grupi parlamentar shtoi përçarjen edhe brenda demokratëve që deri tani e kishin mbështetur. Pas Flutura Açkës, edhe Ferdinand Xhaferraj e cilësoi si një akt individual të tij që dëmton vetë Partinë Demokratike. 

“Katër deputetët janë deputet të respektuar që u rri mirë kostumi i deputetit opozitar. Së dyti jam informuar në media që tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje”, tha Xhaferraj.

Alibeaj e firmosi aktin në një kohë kur Ervin Salianji po mblidhte firmat në të dyja grupimet për ta zëvendësuar si kryetar i grupit parlamentar.

“Kam firmosur dhe do të firmos çfarë do lloj kërkese që ka si qëllim fuqizimin e opozitës. Jemi përball një regjimi dhe vetëm ata që janë pjesë e regjimit apo bashkëpunojnë me regjimin nuk mund ta kuptojnë këtë”, vijoi Xhaferraj. 

Pikërisht te kjo lëvizje për të ndryshuar kryetarin e grupit, gjen shpjegim edhe kreu i Këshillit Kombëtar. 

“Pa diskutim që ai akt lidhet me firmat që ka mbledhur shumica e deputetëve për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn. Bëhet fjalë për grupin që drejtonte Enkelejd Alibeaj. Ky akt, është mëse i turpshëm”, tha Paloka.

Për dy ngatë përjashtuarit e fundit, Tritan Shehu dhe Belind Këlliçi, akti i Alibeajt është në funksion të maxhorancës e jo të bashkimit të demokratëve.  Tritan Shehu:

“Kjo gjë i ka krijuar problem të mëdha regjimit i cili nëpërmjet mashës së tij Alibeaj, kërkon të krijojë pështjellim brenda grupit të PD”, tha Tritan Shehu.

“Gjykoj që është një vendim në kufijtë e absurdit logjik, në kufijtë e një hakmarrjeje primitive që mua nuk më intimidon dhe nuk më ndikon fare”, u shpreh Këlliçi.

 Shkresa e Alibeajt tashmë është në Kuvend, institucion në të cilin krahas betejës politike mes opozitës dhe mazhorancës, do të luhet paralelisht edhe një tjetër sfidë mes vetë demokratëve.