Vota e emigrantëve, Kushtetuesja zbardh vendimin: Kodi Zgjedhor iluziv e i pazbatueshëm

Publikuar më: 11/1/2023, ora 13:13

Vota e emigrantëve, Kushtetuesja zbardh vendimin: Kodi Zgjedhor iluziv e i pazbatueshëm

Publikuar më: 11/1/2023, ora 13:13

Parashikimet e Kodit Zgjedhor për votën e emigrantëve janë iluzive dhe të pazbatueshme ndaj atyre iu cenua e drejta e votës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Këto ishin argumentet e Gjykatës Kushtetuese sa i përket padisë së bërë nga shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për pamundësimin e votës së shtetasve shqiptar nga jashtë vendit.

Kuvendi ka cenuar të drejtën e emigrantëve për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, duke miratuar amendamente në Kodin Zgjedhor që krijojnë te qytetarët iluzionin se gëzojnë një të drejtë, por që në fakt nuk ekziston.

Ky është në thelb argumenti i zbardhur nga Gjykata Kushtetuese, në të cilën ajo u bazua për këtë vendimmarrje duke nënvizuar se parashikimet e vendosura në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi në vitin 2020 sa i përket votimit nga jashtë vendit janë në vetvete të pazbatueshme.

“E drejta kushtetuese e votës së kësaj kategorie për shkak të boshllëkut ligjor ka mbetur thjesht një parashikim deklarativ, i pazbatueshëm efektivisht në praktikë, duke mbetur në thelbin e saj iluzive”.

Në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2020 u sanksionua për herë të parë e drejta e shqiptarëve me banim të përhershëm jashtë territorit të Shqipërisë për të votuar nga ku ata jetojnë. Këtë të drejtë duhet ta implementonte KQZ. Gjykata vëren se pavarësisht kohës së kaluar, asnjë akt nuk është miratuar në këtë drejtim për të mundësuar gëzimin e kësaj të drejte nga qytetarët.

“Deri në këto zgjedhje, Rregullatori nuk miratoi zhvillimin për herë të parë të votimit nga jashtë vendit, sikundër po ashtu as Komisioneri nuk plotësoi masat tekniko-organizative që mundësojnë votimin nga jashtë vendit”.

Pavarësisht përgjegjësisë me të cilën ngarkon KQZ-në, Gjykata Kushtetuese nga ana tjetër e justifikon atë me mungesën e kohës që iu la në dispozicion këtij institucioni për implementimin e votës nga jashtë vendit. 

“Gjithashtu, edhe vetë koha e krijimit nga Kuvendi i Komisionit Rregullator, gati gjashtë muaj përpara zgjedhjeve për Kuvendin të datës 25.04.2021, tregon se ndryshimet ligjore nuk janë të qarta për realizimin e votimit nga jashtë vendit për këto zgjedhje, por nuk rezultojnë të qarta as për zgjedhjet periodike të kujt viti ky votim do të bëhet efektiv”.

Tashmë sipas këtij vendimi, Kuvendi ka kohë deri në janarin e vitit 2024 që të miratojë ndryshimet ligjore për të mundësuar të drejtën e votimit nga jashtë vendimit të shtetasve me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë.