A e dha dakordësinë për përjashtimin e 4 deputetëve? Tabaku: Nuk kam asnjë dijeni për procesin

Publikuar më: 12/1/2023, ora 13:41
Untitled Design 28 1 1280x720

A e dha dakordësinë për përjashtimin e 4 deputetëve? Tabaku: Nuk kam asnjë dijeni për procesin

Publikuar më: 12/1/2023, ora 13:41

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka deklaruar pasditen e së enjtes se nuk është thirrur në mbledhje të Grupit Parlamentar dhe as nuk ka ndonjë dijeni për proces shkarkimi të deputetëve.

E pyetur nga gazetarët rreth shkarkimit nga Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike, të Tritan Shehut, Oerd Bylykbashit, Belind Këllëçit dhe Agron Shehajt, deputetja demokrate u shpreh se partia në të cilën ajo bën pjesë “nuk duhej të arrinte në këtë pikë”.

Po ashtu, Tabaku theksoi se ajo vetë do të jetë pjesë e zgjidhjes, ndërsa shtoi se PD-ja mund të bashkohet vetëm duke mos u copëzuar.

“PD po kalon një periudhë të vështirë. Nuk më ka thërritur askush për mbledhje grupi. Dhe nuk kam asnjë dijeni për procesin. Unë kam një qëllim, ta bëjmë PD-në forcë fituese. Për mua është e papranueshme që opozita është më e pak e besueshme se qeveria.  Nuk mendoj që PD-ja duhet të arrinte në këtë pikë. Ka një kryetar grupi…Mënyra sesi bashkohet PD-ja është duke mos e copëzuar atë”, tha ndër të tjera deputetja demokrate.

Kujtojmë se Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici dhe Agron Shehaj u përjashtuan dy ditë më parë nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Njoftimi u bë nga zyra e shtypit e kreut të grupit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili iu referua përfundimit të afatit 1- vjeçar të dhënë ndaj tyre, “për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike.”

Sipas njoftimit, vendimi erdhi në mungesë të distancimit ndaj këtyre akteve.