Operacioni “Shpirti”, GJKKO kthen në SPAK dosjen e ish-policit të arrestuar dhe i heq arrestin e shtëpisë

Publikuar më: 12/1/2023, ora 12:04
Screenshot 1 5

Operacioni “Shpirti”, GJKKO kthen në SPAK dosjen e ish-policit të arrestuar dhe i heq arrestin e shtëpisë

Publikuar më: 12/1/2023, ora 12:04

GJKKO ka kthyer në SPAK për plotësim të hetimeve aktet ndaj Artur Krasniqit, ish-oficerit të arrestuar në kuadër të operacionit “Shpirti”. Po ashtu, GJKKO ka shuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij.

Krasniqi bëri një kallëzim ndaj prokurorit të çështjes pasi, me dashje, sipas tij, kanë shmangur nga hetimi zyrtarë të zgjedhur, vendorë, si dhe drejtues policie.

Operacioni “Shpirti” ka ardhur si rrjedhojë e dy hetimeve të mëhershme të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas SPAK, në hetimet e bëra në kuadër të operacioneve “Shefi” dhe “Kulmi”, në mars 2018 dhe qershor 2020, ku janë arrestuar shqiptarë e italianë, hetuesit kanë rindërtuar një tablo të një organizate kriminale ku ishin përfshirë edhe zyrtarët e lartë të policisë.

Ata dyshohen nga SPAK për veprime korruptive, shpërdorim të detyrës, “pastrim të parave” dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke garantuar kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Një nga pikat kyçe të hetimit, ka qenë bashkëpunimi me drejtësinë i katër personave të arrestuar më herët, thëniet e të cilëve, kryqëzuar me prova të tjera, kanë ndërtuar gjithë “zinxhirin e prodhimit” të drogës, që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe trafikimi në drejtim të brigjeve puljeze me mjete lundruese të fuqishme.

Nga hetimet, që shtruan rrugën drejt “Shpirtit”, janë sekuestruar në total 6 tonë drogë e llojit marijuhanë, kokainë dhe hashash, vlera e së cilës, e shpërndarë me pakicë, do të shkonte në mbi 55 milionë euro.

Personat e prangosur nga këto operacione, pasi janë përballur me drejtësinë italiane, janë shpallur fajtorë dhe kanë marrë dënime deri në 20 vite burg.