Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Prangosja e zyrtarit të Financave, si u zbulua abuzimi 1.2 mln euro

Nga A2 CNN
12 Janar 2023, 16:33 | Kronikë
Prangosja e zyrtarit të Financave, si u zbulua abuzimi 1.2 mln euro

Po të mos ishin sinjalizimet e një banke të dytë që priste disbursimin e kësteve të kredisë, dyshimi për një abuzim me 1.2 milionë euro nga buxheti i shtetit, mund të mos ishte ngritur kurrë. Ishte ky alert që ngriti dyshimet dhe akuzën që çoi në pranga Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj.

Kjo bankë ka sinjalizuar organet ligjzbatuese se Ilir Thana, përfituesi i shumës së majme, nuk kishte shlyer një kredi prej 2 milionë lekësh të rinj. Por për habi ai po tërhiqte çdo ditë shuma të konsiderueshme, deri në 1 milion lekë, nga një llogari e motrës së tij. Gjurmimi i rastit zbuloi se Thana, aktualisht i arrestuar, po tërhiqte paratë e kaluara nga Ministria e Financave, në zbatim të një vendimi gjyqësor për shpronësimin e një prone që as nuk i përkiste më atij.

Sipas hetimit të prokurorisë së Tiranës, nga i cili u arrestua sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gjokutaj, drejtori Juridik në këtë ministri, Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesi Alban Ruli, sipas këtij transaksioni, nga buxheti i shtetit ishte lëvruar deri në këtë fazë 48.4 milionë lekë të rinj. Nga kjo shumë prokuroria ka mundur të sekuestrojë gati 23 milionë lekë. Zbulimi ndodhi, akuza u ngrit u bënë dhe arrestimet. Por pyetja kryesore është se si u abuzua me paratë e buxhetit të shtetit?

Referuar dosjes së siguruar nga A2 CNN, strumbullari i rastit është një pronë shtetërore, ndërtesë dhe truall, që Ilir Thana e bleu në vitin 1992. Por tetë vite më vonë gjykata e zgjidh kontratën dhe i kthen pronën shtetit. Njëkohësisht urdhëron t’i shlyhen Thanës gati 100 mijë lekë. Ai kërkon t’i marrë paratë në vitin 2015 dhe referuar indeksit të rritjes së çmimeve, Ministria e Financave transferon në llogarinë e tij 284 mijë lekë të rinj. Thana që nuk është më pronar i objektit, përfiton shumën, por rikërkon dëmshpërblim; këtë herë duke bërë rivlerësim të vlerës së pronës.

Përmes përmbaruesit Alban Ruli në vitin 2022 ata bëjnë një vlerësim prej 145 milionë lekë të rinj, gati 1.2 milionë euro, para që i kanë kërkuar nga Ministria e Financave. Ky është momenti që për të njëjtin vendim gjyqësor, ministria ka lëvruar dy herë para. Por sinjalizim për këtë parregullsi ka pasur.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 21 qershor të vitit që shkoi, një muaj para se të lëvrohet shuma e parë prej 48.4 milionë lekësh, te sekretari i përgjithshëm i MF, Arlind Gjokutaj mbërrin një MEMO. Në shkresë bëhet me dije se shteti jo vetëm e kishte shlyer Ilir Thanën, por edhe se ky i fundit në vitin 2005 pa qenë pronar, e kishte shitur pronën te një person tjetër. Sipas prokurorisë, në këto rrethana, Ministria e Financave nuk duhet të pranonte të ekzekutonte kërkesën e përmbaruesit.

https://a2news.com/2023/01/11/akuzohen-per-mashtrim-arrestohen-3-zyrtare-te-ministrise-se-financave/

A2 CNN Livestream

Dita jonë