Abuzimi 1.2 milionë euro, Gjykata lë në qeli zyrtarët e financave dhe përmbaruesin

Publikuar më: 13/1/2023, ora 13:13

Abuzimi 1.2 milionë euro, Gjykata lë në qeli zyrtarët e financave dhe përmbaruesin

Publikuar më: 13/1/2023, ora 13:13

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj dhe drejtori Juridik i këtij dikasteri, Fatmir Hoxhaj, do të vijojnë të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata e Tiranës la të pandryshuar masën e sigurisë të dhënë në mungesë për ta për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm vetëm drejtori juridik i ministrisë, Hoxhaj dhe përmbaruesi Alban Ruli, që po ashtu u la në paraburgim. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gjokutaj, u përfaqësua nga avokatët mbrojtës, që njoftuan gjykatën se klienti i tyre ishte shtruar në spital për shkak të problemeve kardiake.

Në seancën që zgjati më shumë se tre orë, avokatët mbrojtës kërkuan ndryshim të masës së sigurisë. Mbrojtësi i sekretarit të Përgjithshëm të Financave tha klienti i tij nuk ka abuzuar me detyrën dhe e konsideroi të paprecedentë masën ekstreme të kërkuar nga prokuroria. Në të njëjtën formë edhe dy të dyshuarit e tjerë mohuan akuzën, por Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit Ndini Tavani për të vijuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Për Prokurorinë e Tiranës dy zyrtarët e Financave dhe përmbaruesi kanë “shpërdoruar detyrën” duke rrezikuar një dëm prej 1.2 milionë euro në buxhetin e shtetit. Sipas hetimit, ata kanë shpërblyer për të dytën herë në shifrën e majme si ish-pronar një person, që nuk kishte asnjë tagër të tillë mbi një pronë shtetërore.

Plot 48.4 milionë lekë të rinj kanë dalë nga buxheti i shtetit për llogari të këtij dëmshpërblimi dhe 23 milionë lekë ishin tërhequr nga Thana. Prokuroria pretendon se Sekretari i Përgjithshëm ka lejuar ekzekutimin e këtij veprimi, ndonëse ishte vënë në dijeni përmes një memo-je se Thana ishte shpërblyer njëherë në vitin 2015 dhe se për më tepër, pa qenë pronar e kishte shitur tek një person tjetër në vitin 2005.

Si u zbulua abuzimi 1,2 milionë euro?

Po të mos ishin sinjalizimet e një banke të dytë që priste disbursimin e kësteve të kredisë, dyshimi për një abuzim me 1.2 milionë euro nga buxheti i shtetit, mund të mos ishte ngritur kurrë. Ishte ky alert që ngriti dyshimet dhe akuzën që çoi në pranga Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj.

Kjo bankë ka sinjalizuar organet ligjzbatuese se Ilir Thana, përfituesi i shumës së majme, nuk kishte shlyer një kredi prej 2 milionë lekësh të rinj. Por për habi, ai po tërhiqte çdo ditë shuma të konsiderueshme, deri në 1 milion lekë, nga një llogari e motrës së tij. Gjurmimi i rastit zbuloi se Thana, aktualisht i arrestuar, po tërhiqte paratë e kaluara nga Ministria e Financave, në zbatim të një vendimi gjyqësor për shpronësimin e një prone që as nuk i përkiste më atij.

Sipas hetimit të prokurorisë së Tiranës, nga i cili u arrestua sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gjokutaj, drejtori Juridik në këtë ministri, Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesi Alban Ruli, sipas këtij transaksioni, nga buxheti i shtetit ishte lëvruar deri në këtë fazë 48.4 milionë lekë të rinj. Nga kjo shumë prokuroria ka mundur të sekuestrojë gati 23 milionë lekë. Zbulimi ndodhi, akuza u ngrit u bënë dhe arrestimet. Por pyetja kryesore është se si u abuzua me paratë e buxhetit të shtetit?

Referuar dosjes së siguruar nga A2 CNN, strumbullari i rastit është një pronë shtetërore, ndërtesë dhe truall, që Ilir Thana e bleu në vitin 1992. Por tetë vite më vonë, gjykata e zgjidh kontratën dhe i kthen pronën shtetit. Njëkohësisht urdhëron t’i shlyhen Thanës gati 100 mijë lekë. Ai kërkon t’i marrë paratë në vitin 2015 dhe referuar indeksit të rritjes së çmimeve, Ministria e Financave transferon në llogarinë e tij 284 mijë lekë të rinj. Thana që nuk është më pronar i objektit, përfiton shumën, por rikërkon dëmshpërblim; këtë herë duke bërë rivlerësim të vlerës së pronës.

Përmes përmbaruesit Alban Ruli në vitin 2022, ata bëjnë një vlerësim prej 145 milionë lekë të rinj, gati 1.2 milionë euro, para që i kanë kërkuar nga Ministria e Financave. Ky është momenti që për të njëjtin vendim gjyqësor, ministria ka lëvruar dy herë para. Por sinjalizim për këtë parregullsi ka pasur.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 21 qershor të vitit që shkoi, një muaj para se të lëvrohet shuma e parë prej 48.4 milionë lekësh, te sekretari i përgjithshëm i MF, Arlind Gjokutaj mbërrin një MEMO. Në shkresë bëhet me dije se shteti jo vetëm e kishte shlyer Ilir Thanën, por edhe se ky i fundit në vitin 2005 pa qenë pronar, e kishte shitur pronën te një person tjetër. Sipas prokurorisë, në këto rrethana, Ministria e Financave nuk duhet të pranonte të ekzekutonte kërkesën e përmbaruesit.