Tregu i pasurive të patundshme lulëzoi, Pipiria: Mirë edhe në 2023, por çmimet duhet të stabilizohen

Publikuar më: 13/1/2023, ora 22:13

Tregu i pasurive të patundshme lulëzoi, Pipiria: Mirë edhe në 2023, por çmimet duhet të stabilizohen

Publikuar më: 13/1/2023, ora 22:13

Viti i kaluar ka qenë i vështirë për ekonominë shqiptare, por ka patur sektorë që kanë parë një rritje të pëlqyeshme. Bëhet fjalë për sektorin bankar, call center dhe teknologjia e informacionit, por edhe sektori i ndërtimit dhe pasuritë e patundshme.

Pikërisht për sektorin e fundit Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Pasurive të Patundshme, tregon ecurinë dhe ndryshimet nga vitet e mëparshme.

“Nga të gjitha statistikat shihet se gjatë vitit 2022 kemi patur diku me një rritje 15-17%, në 2021 kemi patur një treg 950 milionë euro, sot jemi diku tek 1.1 miliard euro”, thotë ai në A2 Business.  

Por kush blen dhe kush shet sot në Shqipëri, dhe si financohet sektori? “Sektori vazhdon të financohet nga sektori bankar, në 2022 deri në 400 milionë euro, kemi patur rritje të investimeve direkte, në 2021 191 milionë euro, në 2022 më shumë se 300 milionë euro. Nga ana tjetër, ka edhe rritje të remitancave, në 2021 patëm 761 milionë euro, në 2022 diku te 850 milionë euro, shifra që  ndikojnë drejtpërdrejtë në tregun e pasurive të paluajtshme”.

Por Pipiria thekson edhe investimet e të huajve. “Gjithsesi edhe me hapjen e negociatave, kërkesa vjen shumë nga të huajt. Ndryshe nga vitet e huaja, kur transaksionet stepeshin në muajin maj në zonat bregdetare , sot kjo rënie vjen në korrik, ndërkohë që shtete të reja kanë dalë në pah. Dikur kishin treg Ukrainën dhe Poloninë, sot janë shfaqur belgët dhe shtetasit e vendeve nordike”, shton ai.  

Si shihet trendi për vitin e sapo filluar? “Kjo krizë në fillim do të ndikojë konsumin, ndërkohë që pasuritë e paluajtshme shihen si mundësi investimi. Masat shtrënguese të Bankës së Shqipërisë mund të kenë ndikuar në kredidhënien  për shpenzime konsumatore, por jo për investimet. Norma mesatare e kredidhënies për banesat nuk e ka arritur ende 5%”.

Drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Pasurive të Patundshme nuk mendon se do të ketë tkurrje. “Jemi të përgatitur por në ekonominë shqiptare është e vështirë të bësh parashikime. Por është momenti për një stabilizim të çmimeve. Sipas sinjaleve që marrim, me shumë mundësi do të performojnë mirë edhe gjatë 2023, por nuk ka nevojë për rritje të çmimeve”, shton ai.