Ferrari blu, Lamborghini, Porsche e Mercedes, rumunët sekuestrojnë të gjitha makinat luksoze të Andrew Tate

Publikuar më: 14/1/2023, ora 14:47

Ferrari blu, Lamborghini, Porsche e Mercedes, rumunët sekuestrojnë të gjitha makinat luksoze të Andrew Tate

Publikuar më: 14/1/2023, ora 14:47

Autoritetet rumune kanë sekuestruar të gjitha makinat luksoze të sipërmarrësit kontrovers Andrew Tate, i cili u arrestua para Vitit të Ri bashkë me vëllain e tij Tristan, të akuzuar për përdhunim dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Sipas autoriteteve, vëllezërit Tate, të famshëm në rrjet për fjalimet e tyre ku promovojnë dominimin e gjinisë mashkullore ndaj asaj femërore, kanë abuzuar me 6 gra, duke i shfrytëzuar seksualisht për përfitime monetare.

Gjatë paradites së të shtunës nga shtëpia e tyre luksoze në periferi të Bukureshtit u panë të nxirreshin nga autoritetet disa makina nga më të shtrenjtat në treg, si Ferrari, Lambroghini, Rolls-Royce, BMË dhe Mercedes-Benz.

Andrew Tate dhe Tristan Tate në momentin e arrestimit

Më parë gjatë javës, prokurorët kundër krimit të organizuar në Rumani thanë se në total janë sekuestruar 15 makina luksoze të vendosura në 10 prona dhe shtëpi që ishin në pronësi të dy vëllezërve Tate.

Andrew dhe Tristan, si dhe dy gra të tjera të arrestuara bashkë me ta do të vijojnë të mbeten në qeli për rreth një muaj, pasi gjykatat rumune kanë hedhur poshtë në shkallën e parë dhe në apel kërkesën e tyre për t’u gjykuar në gjendje të lirë.

Andrew Tate ka qenë kampion botëror në kikboks para se të merrte famë kur u përjashtua nga emisioni “Big Brother” në Angli për shkak të një videoje ku ai shfaqej duke goditur një vajzë. Për shkak të fjalimeve tepër kontroverse, llogaritë e tij në Facebook, Instagram, YouTube, TikTok dhe Twitter u bllokuan, por në këtë të fundit u lejua të postonte sërish pasi kontrollin e mori Elon Musk në nëntor 2022.

Tate, i cili ka pasaportë amerikane dhe britanike, ka thënë se gratë janë pjesërisht fajtore kur përdhunohen dhe se ato u përkasin burrave.